Film

Ministria e Kulturës ndan çmimet vjetore për kinematografi dhe arte pamore


Edhe në këtë vit, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka ndarë çmimet vjetore për kinematografi, të cilat iu ndahen personaliteteve të shquara të kësaj sfere për sukses dhe të arritura gjatë karrierës.

Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore “Bekim Fehmiu”, i takoi Menduh Nushit, derisa Çmimin për Kinematografi e kanë fituar dy prej të nominuarve, regjisorja Kaltrina Krasniqi si dhe montazheri Enis Saraçi.

Juria profesionale e sivjetme ka përfshirë, Blerta Bashollin, Ujkan Hysajn, Valmira Hysenin, Rozafa Çelajn si dhe Gazmend Bajrin.

Ndarja e çmimeve vjetore për Kinematografinë.

“Urime fituesve dhe faleminderit për kontributin e veçantë në avancimin e kinematografisë”, thuhej në njoftimin e MKRS-së në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

I pari i MKRS-së, ka ndarë po ashtu çmimet vjetore të Artit Pamor, derisa Nysret Salihamixhiqi është laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore “Muslim Mulliqi”, e fituese e Çmimit Vjetor për të arriturat në fushën e artit pamor ishte Violeta Xhaferi.

Pjesë e jurisë profesionale në këtë edicion ishin Eshref Qahili, Arbana Hajredinaj dhe Driton Selmani.

Ndarja e çmimeve vjetore për Artet Pamore.

“Urimet tona të përzemërta për të dy fituesit e çmimeve, për talentin, përkushtimin dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në botën e artit pamor”, thuhej tutje në njoftimin e MKRS-së në faqen e tyre zyrtare në Facebook.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore