Lajme

Ministri i jashtëm malazez dhe ambasadorja e Kosovës diskutojnë për demarkacionin


Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviç dhe ambasadorja e Kosovës, Ariana Zherka Hoxha.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Gjorgje Raduloviç, ka pritur në takim të martën ambasadoren e sapoemëruar të Kosovës në këtë shtet, Ariana Zherka Hoxha, me të cilën ka biseduar për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për çështjen e demarkacionit mes dy vendeve.

Shefi i diplomacisë malazeze i ka uruar ambasadores Hoxha, një mision të suksesshëm diplomatik në Mal të Zi.

Kjo është bërë e ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, ministri Raduloviç ka vlerësuar marrëdhëniet përmbajtjesore ndërmjet dy vendeve.

Ndër të tjera u përmend edhe viti 1999 kur Mali i Zi ka hapur dyert për 200 mijë refugjatë kosovarë, gjë që tregoi përkushtimin e vendit tonë për ruajtjen e harmonisë multietnike.

“Si vendi më i vogël në rajon, Mali i Zi është shumë i përkushtuar ndaj bashkëpunimit të mirë rajonal, stabilitetit dhe paprekshmërisë së kufijve të përcaktuar reciprokisht”, ka thënë ai.

Shefi i diplomacisë malazeze si shembull të bashkëpunimit të mirë e vuri në dukje nënshkrimin e Marrëveshjes për kufirin mes dy vendeve në qershor të vitit 2018, me të cilën përfundoi me sukses çështja e demarkacionit ndërmjet Malit të Zi dhe Kosovës.

Gjithashtu, thuhet se në takim është theksuar edhe organizimi i konsultimeve politike ndërmjet ministrive.

Në këtë drejtim është shprehur pritshmëria që të dyja palët në periudhën e ardhshme të punojnë në mënyrë aktive me theks në drejtësi, financa, shkencë, sport dhe shëndetësi.

Sipas Hoxhës, të dyja vendet ushqejnë marrëdhënie të mira, duke shtuar se fokusi i mandatit të saj do të jetë përmirësimi i mëtejshëm i tyre.

Ajo bëri të ditur se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës vizitojnë Malin e Zi, të cilin e perceptojnë si një destinacion tërheqës turistik, por edhe një vend të afërt dhe mik.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak ditë më parë, në katër vjetorin e miratimit të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ka deklaruar se shumë shpejt Mali i Zi do të ketë një Qeveri të re, me të cilën do mund të bisedohet për dallim nga Qeveria paraprake, që kishte përbrenda elemente pro ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore