Lajme

“Milloshi i ri”: Plani franko-gjerman mundëson formimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe shembjen e “Republikës Srpska”


Millosh Jovanoviç

Millosh Jovanoviç, lideri i partisë serbe të ekstremit të djathtë – Partia e Re Demokratike e Serbisë (DSS) – ka thënë të hënën se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç,  nuk do të mund të “shpëtojë” nga përgjegjësia penale për “tradhtinë” ndaj Kosovës.

Jovanoviç për agjencinë serbe të lajmeve “Beta”, tha se presidenti Vuçiç çdo ditë e më shumë po ua fyen inteligjencën, majde edhe po ua poshtëron atë qytetarëve të Serbisë nëpërmjet makinerisë së tij propagandistike.

“Vuçiç i tha Perëndimit se e pranon planin franko-gjerman dhe se do të punojë në zbatimin e tij, por popullit të Serbisë i thotë se nuk do ta pranojë zbatimin. Vuçiç me teknologjinë e tij qeverisëse dhe vendimet e tij kur është fjala për politikën ndaj Kosovës, ngadalë por me siguri po e fut vendin në destabilitet politik”, tha ai.

Posterat në Beograd

Duke komentuar posterat që janë hasur në qendër të Beogradit, në të cilat liderët e opozitës serbe – Milica Gjurgjeviç-Stamenkovski, Boshko Obradoviç dhe Millosh Jovanoviç – shfaqen së bashku me kryeministrin Albin Kurti, ai tha se është vetëm një “propagandë e pakuptimtë” e Partisë Progresive Serbe (SNS).

“Propozimi i marrëveshjes që ai e pranoi në Bruksel nuk është në interes të Serbisë sepse është një marrëveshje për njohjen e pavarësisë së krahinës sonë jugore. Qeveria aktuale në krye me Vuçiç-in nuk do të mund të shpëtojë nga përgjegjësia penalo-juridike për tradhtinë e Kosovës”, tha Jovanoviç.

Jovanoviç duke e parë realitetin me syzet e zeza etno-nacionaliste të së kaluarës, konsideroi se nëse marrëveshja franko-gjermane zbatohet, do të krijohen kushtet për formimin e “Shqipërisë së Madhe” dhe shembjen e “Republika Srpska-s”.

“Debati ynë politik është përkeqësuar jo pak, por pasojat e veprimeve të secilit subjekt politik do t’i vlerësojnë vetë qytetarët. Kemi hyrë në fazën finale të zgjidhjes së krizës së Kosovës dhe ashtu siç po shkojnë gjërat nuk do të zgjidhet në interes të Serbisë dhe popullit serb”, tha Jovanoviç.

Kujtojmë se kjo parti ka hapur zyrë edhe në Kosovë, gjegjësisht në Mitrovicën Veriore të banuar me shumicë serbe dhe në hapje, Jovanoviç kishte deklaruar se “askush nuk guxon të mendojë për ta dorëzuar Kosovën, djepin e Serbisë”. Ai pretendon se e di rrugën “drejt kthimit të Kosovës brenda Serbisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore