Sport

Milan-i transferon sulmuesin serb


Milan-i ka arritur marrëveshje me klubin serb, Ylli i Kuq, për të transferuar sulmuesin 18 vjeçar, Marko Lazetic.

Sipas asaj që raportojnë mediat në Itali, Lazetic pritet të vijë gjatë orëve të ardhshme në Milano, për të kryer vizitat mjekësore te klubi kuqezi.

Marrëveshja thuhet të jetë arritur për shumën e 4 milionë eurove, plus bonuse dhe një përqindje në rast të shitjes së futbollistit në ndonjë klub tjetër.

Për sulmuesin serb, kishte oferta nga shumë klube të njohura evropiane si: Zenit, Salzburg, Fiorentina, etj., por në fund Milan-i arriti të marrë shërbimet e sulmuesit të talentuar.

Lajmin për arritjen e marrëveshjes, e konfirmoi drejtori i klubit të Yllit të Kuq, Zvezdan Terzic, i cili i uroi suksese Lazetic-it.

“Transferimi i Lazetic te Milani është një tregues i punës së mirë të bërë. Kemi rënë dakord për gjithçka me Milan-in, tani pres që Lazetic të negociojë kushtet e tij përmes agjentëve të tij dhe të nënshkruajë kontratën”, tha drejtori Zvezdan Terzic.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e klubit kuqezi do ta lejojnë sulmuesin, Pietro Pellegri-n të largohet nga San Siro, i cili arriti në Milano para gjashtë muajsh në formulën e huazimit nga Monaco.

Pellegri nuk tregoi formën të mirë te trajneri Stefano Pioli, i cili luajti vetëm 127 minuta gjatë kësaj periudhe.

Sipas asaj që raporton “Calciomercato.com”, ai do t’i bashkohet skuadrës së Torino-s në formulën e huazimit deri në fund të sezonit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore