Përballje

Milan-i gjunjëzon Napolin në “Stadio Diego Armando Maradona”


Milan-i e ka deklasuar Napolin në “Stadio Diego Armando Maradona”, duke e mposhtur me rezultat 0:4 në ndeshjen e javës së 28-të në Serie A.

Kampionët në fuqi të Italisë ishin superiorë ndaj “kampionëve të ardhshëm” thuajse në të gjithë takimin.

Serinë e golave e hapi Rafael Leao në minutën e 17-të duke shënuar një gol shumë të bukur pas asistimit të Brahim Diaz.

Ky i fundit u përkujdes për golin e dytë në minutën e 25-të, duke shënuar nga afër portës së napolitanëve.

Pjesa e parë u mbyll me epërsi të dyfishtë të mysafirëve, teksa në pjesën e dytë ata shënuan edhe dy herë të tjera.

Rafael Leao u përkujdes për golin e tretë të kuqezinjve në minutën e 59-të, duke shënuar nga një pozicion shumë i vështirë.

Derisa Alexis Saelemankers shnëoi për 0:4 në minutën e 67-të, pasi dribloi thuajse gjithë mbrojtjen e Napolit.

Me këtë fitore, Milan-i ngjitet në vendin e tretë me 51 pikë, katër më pak se Lazio e vendit të dytë dhe një më shumë se Inter e Roma në vendet katër dhe pesë.

Ndërsa Napoli thuajse e ka të siguruar pozitën e parë me 71 pikë.

Kujtojmë që Milan dhe Napoli janë kundërshtarë në kuadër të çerekfinales së Ligës së Kampionëve, teksa ndeshja e parë mes tyre do të zhvillohet të mërkurën e 12 prillit në “San Siro”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore