Lajme

Meta: Arjan Sala, heroi ynë!


Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ka postuar një status në median sociale, Facebook, ku shpreh ngushëllimet më të ndjera të familjes së Heroit, Arjan Sala.

Meta e quajti reagimin e Salës në ato momente si “sakrificë sublime” dhe “simbol i vetëmohimit, i dashurisë për njerëzit, shembull i mirësisë dhe i vlerave më të larta humane”.

Presidenti ka shkruar se nga gjesti i tij të vetëflijimit për të shpëtuar të tjerët, “të ndërtohet një shtet më njerëzor, më i dhembshur, më social dhe më reagues, që nuk i braktis njerëzit në nevojë në momentet më të vështira, por që mendon për ta dhe i respekton me përulësi çdo ditë Heronjtë e thjeshtë e të heshtur dhe sakrificat e tyre në shërbim të komunitetit”.

Sala punonte si punonjës i shërbimit të sigurisë të një kompanie private pranë Casa Italia-s.

Pas një zjarri të rënë në njё magazinë me një sipërfaqe prej 1 mijë metra katrorë, punonjësi i sigurisë shpëtoi 25 punonjёs tё tjerё, por vetë mbeti i bllokuar në katin e nëndheshëm të magazinës.

Zjarri ra në datën 24 mars rreth orës 16:40, tek një magazinë e qendrës tregtare ,”Casa Italia”-s.

Trupi i tij u gjet ditën e sotme më 27 mars nga zjarrëfikësit dhe punonjësit e policisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore