Lajme

Meliza Haradinaj-Stublla lirohet nga akuza për mos raportim të pasurisë


Meliza Haradinaj Stublla

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, është shpallur e pafajshme lidhur me akuzën për mos raportim të pasurisë.

Aktgjykimi është shpallur nga gjykatësja Lumnije Krasniqi, e cila tha se nuk është provuar se e akuzuara Hardinaj-Stublla është fajtore.

“Gjykata ka vlerësuar se mosveprimet e përshkruara si në dispozitiv të aktgjykimit nuk provuan se ekzistojnë elementet e veprës për të cilën është akuzuar”, deklaroi gjykatësja Krasniqi.

Sipas prokurorisë e akuzuara Haradinaj-Stublla, ka qenë e detyruar që ta deklarojë pasurinë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), me rastin e marrjes së detyrës më 11 shtator 2017, për vitin paraprak ku e njëjta përmes formularit për deklarimin e pasurisë nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër edhe pse ka qenë e obliguar.

Haradinaj-Stublla ishte shpallur fajtore nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 tetor 2019, për veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Për këtë vepër penale, ajo ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe njëmijë euro gjobë, të cilën sipas aktgjykimit, e dënuara detyrohej ta paguante brenda 15 ditësh, pasi që aktgjykimi të merr formën e prerë. Në rast të mos pagesës, dënimi me gjobë do t’i shndërrohej me burgim, ku për një ditë burgim, llogariten 20 euro.

Mirëpo, pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte anuluar aktgjykimin e Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore