Sport

Më shumë se 6500 punëtorë emigrantë vdiqën gjatë përgatitjeve për Kampionatin Botëror “Qatar 2022”


Në dhjetor të vitit 2010, FIFA vendosi që Katari të jetë shteti organizativ i kampionatit botëror të futbollit në vitin 2022.

Që nga ajo kohë filluan punimet për organizimin e këtij evenimenti botëror, punime në të cilat pati edhe shumë raste tragjike.

Sipas një studimi të bërë nga “The Guardian”, më shumë se 6,500 punëtorë emigrant nga India, Pakistani, Nepali, Bangladeshi dhe Sri Lanka kanë vdekur në Katar që që kur fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës.

Të dhënat nga burimet qeveritare, nënkuptojnë se mesatarisht 12 punëtorë emigrantë nga këto pesë kombe të Azisë Jugore kanë vdekur çdo javë që nga dhjetori i vitit 2010.

Të dhënat nga India, Bangladeshi, Nepali dhe Sri Lanka zbuluan se kishte 5,927 vdekje të punëtorëve emigrantë në periudhën 2011-2020.

Gjithashtu, të dhënat nga ambasada e Pakistanit në Katar raportuan edhe 824 vdekje të punëtorëve pakistanezë, në mes të vitit 2010 dhe 2020.

Por numri i përgjithshëm i të vdekurve, është edhe më i lartë, sepse në statistikat e lartcekura, nuk janë përfshirë vdekjet e personave të shteteve tjera, të cilët dërgojnë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve në Katar siç janë Filipinet dhe Kenia.

Në përgatitjet e Katarit për Kupën e Botës, që nga viti 2010, përveç që do të ndërtohen shtatë stadiume të reja, dhjetëra projekte të mëdha janë përfunduar ose janë në proces të përfundimit duke përfshirë një aeroport të ri, rrugë, sistem të transportit publik, hotele, gjithashtu edhe një qytet të ri i cili do të presë finalen e këtij kompeticioni botëror.

Ndërsa të dhënat e vdekjeve, nuk kategorizohen sipas profesionit ose vendit të punës, por ka shumë të ngjarë që shumë punëtor që kanë vdekur, të jenë të punësuar në këto projekte të infrastrukturës të Kupës së Botës, thotë drejtori i “Fai Square Projec” Nick McGeehan.

“Një pjesë e konsiderueshme e punëtorëve emigrantë të vdekur që nga viti 2011 në vend, ishin sepse Katari fitoi të drejtën për të organizuar Kupën e Botës,” tha ai.

Pas statistikave të vdekjeve, qëndrojnë histori të panumërta të familjeve të shkatërruara që mbetën pa mbajtësit kryesor të familjes, duke luftuar për të fituar kompensim dhe të hutuar për rrethanat e vdekjes së të dashurit të tyre.

Ghal Singh Rai një person nga Nepali, shpenzoi rreth 1000 funte në tarifat e rekrutimit për të shkuar atje që të punojë si pastrues në një kamp për punëtorët që ndërtonin një stadium, por pas një jave pasi mbërriti atje, ai vrau veten.

Një punëtor tjetër, Mohammad Shahid Miah, nga Bangladeshi, u aksidentua nga rryma në banesën e tij, pasi uji ra në kontakt me kabllot e energjisë elektrike.

Familja e Madhu Bollapally nga India, kurrë nuk e kuptoi se si vdiq familjari i tyre 43-vjeçar nga “shkaqet natyore” deri sa ai ishte i shëndetshëm. Trupi i tij u gjet i shtrirë në dyshemenë e dhomës së tij në konvikt.

Numri i madh i vdekjeve në Katar, zbulohet përmes disa të dhënave zyrtare, që rendisin shkaqet e vdekjeve ku më së shumti janë: Dëmtimi për shkak të rënies nga lartësia, asfiksia për shkak të ajrit, dhe shkaku i papërcaktuar i vdekjes.

Por midis këtyre shkaqeve të vdekjes, më e zakonshmja deri tani është e ashtuquajtura “vdekje natyrore”, që shpesh i atribuohet dështimit akut të zemrës ose frymëmarrjes.

Bazuar në të dhënat e marra nga “Guardian”, 69% e vdekjeve të punëtorëve nga India, Nepali dhe Bangladeshi kategorizohen si “vdekje natyrore”.

Guardian ka raportuar se klasifikime të tilla të vdekjeve, të cilat zakonisht bëhen pa autopsi, shpesh dështojnë të japin një shpjegim të ligjshëm mjekësor për shkakun themelor të këtyre vdekjeve.

Nxehtësia e madhe gjatë verës së vitit 2019, ka ngjarë të jetë një ndër faktorët kryesor në vdekjen e shumë punëtorëve, raporton Guardian.

Sipas të gjeturave të “Guardian” e cila u mbështet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombëve të Bashkuara, thotë se në katër muaj në vit, punëtorët përballeshin më një nxehtësi të madhe kur punonin jashtë.

Një raport nga avokatët e vetë qeverisë së Katarit në vitin 2014 rekomandoi që një studim mbi vdekjet e punëtorëve emigrantë nga arresti kardiak dhe të ndryshonte ligjin për të “lejuar autopsitë” në të gjitha rastet e vdekjes së papritur, por qeveria nuk ka bëri asnjë hap.

Qeveria e Katarit po vazhdon që të mos e merrë në konsideratë këtë qështje kritike dhe urgjente për jetën e punëtorëve, tha Hiba Zayadin, një studiuese e Human Rights Watch.

“Ne i kemi bërë thirrje qeverisë së Katarit që të ndryshojë ligjin e tij për autopsitë, për të kërkuar hetime mjeko-ligjore për të gjitha vdekjet e papritura ose të pashpjegueshme, dhe të miratojë legjislacionin për të kërkuar që të gjitha certifikatat e vdekjes të përfshijnë referencën për shkakun e vdekjes në kuptimin mjekësor” tha ajo.

Qeveria e Katarit thotë se numri i vdekjeve të cilat nuk i konteston, është proporcional me madhësinë e fuqisë punëtore dhe se shifrat përfshijnë edhe punëtorë të cilët janë jashtë terrenit dhe janë më të privilegjuar dhe që kanë vdekur natyrshëm pasi kanë jetuar në Katar për shumë vite.

“Shkalla e vdekshmërisë e këtyre komuniteteve është brenda diapazonit të pritur për madhësinë dhe demografinë e popullsisë. Sidoqoftë, çdo jetë e humbur është një tragjedi, dhe asnjë përpjekje nuk kursehet për të parandaluar çdo vdekje në vendin tonë, ”tha qeveria e Katarit në një deklaratë nga një zëdhënës.

Zyrtari gjithashtu shtoi se të gjithë shtetasit e huaj kanë shërbime falas në shërbimin mjekësor të klasit të parë, dhe se gjatë viteve të fundit ka pasur rënie të vazhdueshme të shkallës së vdekshmërisë për punëtorët e ardhur, kjo falë reformave në shëndetësi dhe siguri.

FILE – Construction workers rest during their lunch break in Doha, Qatar.

Shkaqet e tjera të vdekjeve të të ardhurve nga India, Nepali dhe Bangladeshi janë edhe aksidentet rrugore më 12 për qind, aksidentet në vendin e punës me shtatë për qind dhe vetëvrasjet gjithashtu me shtatë për qind.

Për sa i përket covid-19, Katari është prekur fare pak nga vdekjet, ku janë regjistruar rreth 250 viktima, që nga paraqitja e kësaj sëmundjeje.

Studimi i Guardian gjithashtu theksoi mungesën e transparencës dhe detajeve në regjistrimin e vdekjeve në Katar.

Ambasadat në Doha dhe qeveritë e vendeve dërguese të punës hezitojnë të ndajnë të dhënat, ndoshta për arsye politike.

Në statistikat e dhëna, ka edhe mospërputhje midis shifrave të mbajtura nga agjencitë e ndryshme qeveritare dhe nuk ka një format standard për regjistrimin e shkaqeve të vdekjes.

Një ambasadë në Azinë Jugore tha se ata nuk mund të ndajnë të dhëna për shkaqet e vdekjes sepse ato ishin regjistruar vetëm me dorë në fletore.

“Ekziston një mungesë e qartësisë dhe transparencës për këto vdekje. Katari ka nevojë të forcojë standardet e tij të shëndetit dhe sigurisë në punë.” tha May Romanos, një studiues i Gjirit për Amnesty International.

Komiteti organizativ i Kupës së Botës në Katar, kur u pyet për vdekjet në projektet e stadiumeve, tha: “Ne pendohemi thellësisht për të gjitha këto tragjedi dhe do ta hetojmë çdo incident. Ne gjithmonë kemi ruajtur transparencën rreth kësaj çështje dhe kemi kontestuar pretendime të pasakta rreth numrit të punëtorëve që kanë vdekur në projektet tona. ”

Në një deklaratë, një zëdhënës i FIFA-s, tha se është plotësisht i përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve në projektet e FIFA-s.

“Me masat e rrepta të shëndetit dhe sigurisë në vend, frekuenca e aksidenteve në vendet e ndërtimit të Kupës Botërore FIFA-s ka qenë më e ulët në krahasim me projektet e tjera ndërtimore të mëdha në të gjithë botën,” thanë ata, pa dhënë prova.

Kujtojmë që këtë herë Kampionati Botëror, për dallim nga herët e tjera që jemi mësuar të luhet gjatë verës, do të filloj më 21 nëntor të vitit 2022.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore