Lajme

Mbretëria e Bashkuar përfundon misionin e evakuimit nga Kabuli


Nga Ministria e Mbrojtjes britanike u lajmërua të shtunën e 28 gushtit se fluturimi përfundimtar – i evakuimit për civilët afganë – është larguar nga kryeqyteti i Afganistanit, Kabul.

Fluturimet e mëtejshme do të kenë në bord personelin diplomatik dhe ushtarak të Mbretërisë së Bashkuar.

Kreu i forcave të armatosura, gjeneral Nick Carter, tha se ishte “zemërthyese” se ata nuk kishin qenë në gjendje të shpëtonin të gjithë.

Carter shtoi se qindra afganë që kishin të drejtë të vinin në Mbretërinë e Bashkuar mbetën në Afganistan.

Një transport ajror masiv është duke u zhvilluar që kur talebanët morën kontrollin e kryeqytetit, me një afat deri më 31 gusht në vend që trupat e huaja të largoheshin nga vendi.

SHBA-të kanë drejtuar aeroportin në kryeqytetin e Afganistanit, ku një sulm me bombë vetëvrasës të enjten e 26 gushtit solli vdekjen e 200 civilëve – përfshirë dy shtetas britanikë, fëmijë të një shtetasi britanik dhe 12 marinsa amerikanë e një mjek.

Më shumë se 1 mijë trupa britanike ishin në Kabul duke ndihmuar në evakuimin afganëve në aeroport – në kulmin e operacionit.

Ambasadori britanik në Afganistan, Laurie Bristow, i cili mbeti në aeroportin e Kabulit, shkroi në Twitter se gati 15 mijë njerëz ishin evakuuar, por ishte “koha për të mbyllur këtë fazë të operacionit tani”.

Ai shtoi se, “ne nuk i kemi harruar njerëzit që ende kanë nevojë të largohen. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i ndihmuar ata”.

Ata që tashmë janë evakuuar përfshijnë shtetas britanikë dhe pothuajse 8 mijë afganë që punuan për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar dhe individë të tjerë të cenueshëm.

Që nga e premtja, qeveria tha se midis 800 dhe 1 mijë e 100 afganë të kualifikuar dhe 100 deri në 150 britanikë, nuk ishin evakuuar.

Çfarë ndodh me refugjatët afganë ?

Pas mbërritjes në Britani refugjatët afganë do të bëjnë një karantinë 10-ditore në një hotel.

Ndërkohë zyrtarët qeveritarë dhe autoritetet lokale po përpiqen t’u gjejnë atyre shtëpi të përhershme.

Deri në momentin që do t’u gjendet një shtëpi ata do të vendosen në hotele.

Disa prej tyre do të marrin statusin e refugjatit dhe mund të jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar përgjithmonë.

Ndërsa pjesa tjetër do të marrin një vizë pesëvjeçare për të jetuar dhe punuar – dhe më pas mund të aplikojnë për qëndrim të përhershëm.

Afganët që mbërrijnë në mënyrë të pavarur do të hyjnë në sistemin normal të kërkesave për azil – i cili ka një ngarkesë prej 70 mijë njerëzish.

Evakuimi i afganëve

Zelanda e Re, Spanja dhe Australia janë ndër të parat që kanë përfunduar operacionet plotësisht.

Një total prej 111 mijë njerëz janë larguar nga Afganistani si pjesë e misionit të evakuimit.

Nga ana tjetër ka rreth 5 mijë e 400 afganë në aeroportin e Kabulit që presin fluturimet.

Ushtria gjermane ka evakuuar 5 mijë e 347 persona.

Ministria franceze e Mbrojtjes tha se, të enjten në mbrëmje, më shumë se 100 shtetas francezë dhe më shumë se 2 mijë e 500 afganë kishin arritur në tokën franceze.

Ndërkohë në Shqipëri kanë mbërritur 275 refugjatë afganë. Po ashtu pritet gjatë mbrëmjes, mbërritja e avionit të parë me afganë në Kosovë.

IS merr përgjegjësinë e sulmeve

Burime nga Afganistani kanë bërë me dije se janë regjistruar gjashtë sulme në Kabul të enjten e 26 gushtit. Përpos dy sulmeve të mëdha në aeroport, ka pasur dhe një sulm në Baba Mina, dy në Sharenaw dhe shpërthim në Sareye Shamali.

Shteti Islamik (IS)  ka marrë përgjegjësinë për sulmin në aeroportin e Kabulit.

Pretendimi erdhi në një mesazh të postuar në kanalin Telegram të lajmeve të tyre.

Grupi tha se një sulmues vetëvrasës – të cilin ata e identifikuan – shpërtheu një jelek shpërthyes midis afganëve dhe forcave amerikane.

Zyrtarët amerikanë të Mbrojtjes kanë thënë gjithashtu se ata besojnë se militantët rajonalë të IS ishin prapa bombardimit.

Biden: Nuk ka falje, do ta paguani këtë sulm

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka reaguar pas sulmeve të ndodhura dhe marrjes së përgjegjësisë nga IS-i.

“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Do t’ju gjejmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”.

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden, e ka bërë të qartë përgjigjen ndaj grupit terrorist ISIS-K, i cili kreu disa sulme terroriste kamikaze.

Këto ditë, kreu i  Shtëpisë së Bardhë i ka përshkruar si jashtëzakonisht të vështirë.

Ai e ka theksuar se sulmet ishin të paralajmëruara. Gjithashtu, u ka garantuar amerikanëve se gjithçka po bëhet, qoftë nga Kabuli qoftë nga Ëashington-i mbi situatën.

Mbi të gjitha, nuk ka asnjë lëkundje për të përmbyllur misionin e evakuimit. Ai do të përfundojë sipas planit, brenda 31 gushtit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore