Lajme

Mbi 50 të vrarë nga sulmet xhihadiste në Mali dhe Burkina Faso


50 ushtarë dhe gjashtë civilë u vranë të dielën në sulmet në Mali dhe Burkina Faso, vendet fqinje të Afrikës Perëndimore që luftojnë me kryengritjet vdekjeprurëse xhihadiste. Këtë e kanë bërë të ditur burimet ushtarake dhe të sigurisë, raporton agjencia e lajmeve ndërkombëtare “Reuters”, përcjell Albanian Post.

Sulmuesit vetëvrasës hodhën makina të mbushura me eksploziv në tre kampe ushtarake në Malin qendror para agimit, tha ushtria në një deklaratë. Gjashtë u vranë dhe 15 u plagosën në kampin “Sevare”.

Ushtria në një deklaratë njoftoi se përtej kufirit në veri të Burkina Faso-s, sulmet e njëkohshme ndaj detashmenteve ushtarake në Gaskinde dhe Pobe-Mengao në orët e hershme vranë nëntë ushtarë dhe gjashtë civilë, duke përfshirë dy të cilët ishin anëtarë të një grupi të vetëmbrojtjes së armatosur. Rreth 30 persona u plagosën në dy sulmet.

Juntat ushtarake kanë rrëmbyer pushtetin në Mali dhe Burkina Faso në dy vitet e fundit, duke premtuar se do të ofrojnë siguri më të madhe se paraardhësit e tyre të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Por sulmet e dhunshme ndaj civilëve dhe ushtrisë vazhdojnë. Forcat e armatosura të të dy vendeve janë akuzuar për abuzime kundër civilëve në përpjekjen e tyre për të çrrënjosur luftëtarët islamikë nga komunitetet rurale të shkretëtirës.

Telashet filluan në Mali në vitin 2012 kur islamistët pushtuan veriun. Forcat nga ish-fuqia koloniale Franca i mundën ata, por ata u rigrupuan dhe nisën të kryenin sulme më afër kryeqytetit jugor Bamako.

Brenda viteve, grupet e lidhura me Al Qaeda-ën dhe Shtetin Islamik u përhapën dhe po bënin kërdi në Burkina Faso dhe Niger, pavarësisht përpjekjeve ndërkombëtare të udhëhequra nga Franca për t’i ndalur ato. Mijëra kanë vdekur dhe miliona janë zhvendosur.

Junta që përmbysi qeverinë e Malit në një grusht shteti ushtarak të vitit 2020 ka kërkuar ndihmën e luftëtarëve privatë që i përkasin grupit “Wagner” të Rusisë, të akuzuar për kryerje të abuzimeve në vende të tjera dhe të sanksionuar nga Bashkimi Evropian.

Mali dhe Rusia kanë thënë më parë se nuk janë mercenarë, por trajnerë që ndihmojnë trupat lokale me pajisjet e blera nga Rusia.

Qeveria ruse nga ana tjetër i ka mohuar në mënyrë të vazhdueshme lidhjet me grupin “Wagner”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore