Lajme

Blloku i Afrikës Perëndimore denoncon “tentativën për grusht shteti” në Burkina Faso


Blloku i Shteteve të Afrikës Perëndimore “ECOWAS” dënoi të hënën e 24 janarit atë që e quajti një tentativë për grusht shteti në Burkina Faso, duke bërë përgjegjëse ushtrinë për sigurinë e presidentit Roch Kabore, vendndodhja e të cilit nuk dihej.

Në një postim në Twitter Kabore u bëri thirrje atyre që kishin marrë armët – një referencë e dukshme për ushtarët kryengritës – t’i dorëzonin ata.

“Kombi ynë po kalon momente të vështira. Ne duhet që në këtë çast të ruajmë normat tona demokratike”, thuhet në postimin e nënshkruar RK.

Më tej, ai u bënte ftesë të gjithë atyre “që kanë marrë armët, t’i dorëzojnë për interesin më të lartë të kombit”.

Roch Kabore

Kabore nuk është shfaqur në publik që kur shpërthyen të shtëna të forta në kampet ushtarake të dielën, kur ushtarët kërkuan më shumë mbështetje për luftën e tyre kundër militantëve islamikë.

Qeveria më pas mohoi se ushtria kishte marrë pushtetin.

Pas të shtënave të forta gjatë natës rreth rezidencës së Kabore në kryeqytetin Ouagadougou, katër burime sigurie dhe një diplomat thanë se presidenti po mbahej i arrestuar nga ushtarë rebelë në një kamp ushtarak.

Megjithatë, dy burime të tjera të sigurisë, duke përfshirë një afër Kabore, thanë se e kishin dërguar në një vend të sigurt për mbrojtjen e tij.

Kabore është përballur me valë protestash në rrugë gjatë muajve të fundit, teksa zhgënjimi është përshkallëzuar për vrasjen e shpeshtë të civilëve dhe ushtarëve nga militantët, disa prej të cilëve kanë lidhje me Shtetin Islamik dhe Al Qaeda-n.

Një sulm militant në nëntor në një postë xhandarmërie në Inata, në rajonin verior Soum, vrau 49 oficerë policie ushtarake dhe katër civilë.

Më vonë doli se forcat e vendosura atje kishin mbetur pa ushqim dhe ishin detyruar të therin kafshë në afërsi për dy javë.

Protestuesit dolën për të mbështetur rebelët të dielën dhe plaçkitën selinë e partisë politike të Kabore-s.

Trazirat në Burkina Faso vijnë pas goditjeve të suksesshme ushtarake gjatë 18 muajve të fundit në Mali dhe Guinea, ku ushtria hoqi Presidentin Alpha Conde shtatorin e kaluar.

Ushtria, gjithashtu, mori kontrollin në Chad vitin e kaluar, pasi presidenti Idriss Deby vdiq në fushën e betejës.

Burkina Faso është një nga vendet më të varfra në Afrikën Perëndimore, pavarësisht se është një prodhues ari.

Militantët islamikë kontrollojnë zona të vendit, duke detyruar banorët në disa zona të respektojnë versionin e tyre të ashpër të ligjit islamik, ndërsa lufta e ushtrisë për të shuar kryengritjen ka shteruar burimet e pakta kombëtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore