Kosova

Presidenti italian: S’ka ka alternativë për dialogun Kosovë-Serbi, propozimi i BE-së mundësi e mirë për dyja palët


“Rruga e dialogut Prishtinë-Beograd nuk ka alternativë”.

Kështu ka thënë Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella, gjatë takimit me homologen e tij nga Kosova, Vjosa Osmanin.

“Italia si njëra ndër vendet e para që njohu Kosovën, e kupton mirë se sa kërkuese mund të jetë procesi i pajtimit me Serbinë. Por, ne duhet të lëmë mënjanë vizionin e tjetrit si armik dhe të bëjmë zgjedhje të guximshme për të krijuar një klimë besimi dhe respekti reciprok”, tha Mattarella, raporton Italpress.

.

“Nga ky këndvështrim propozimi i BE-së paraqet një mundësi të mirë të cilën duhet të shfrytëzojnë të dyja palët edhe me synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Sipas tij, procesi i integrimi evropian është i rëndësishëm për stabilizimin e Ballkanit.

Po ashtu Mattarella shprehu mbështetjen e vendit të tij për aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ndërsa presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se gjatë takimit me Mattarella-n u konfirmuan marrëdhëniet miqësore në mes të dy vendeve dhe u diskutuan mundësitë e shumta për thellim të bashkëpunimit bilateral.

“Me Italinë e historisë së jashtëzakonshme, artit botëror, traditës kulinare e pejsazheve magjepsëse ka kaq shumë gjera që na bashkojnë. Por, mbi të gjitha na bashkon orientimi ynë i përbashkët për paqe, demokraci e sundim të ligjit. Andaj, së bashku diskutuam për hapjen e kapitujve të rinj të bashkëpunimit si dhe për kontributin tonë të përbashkët për paqe e stabilitet në rajon”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndryshe, Osmani gjatë vizitës së saj në Itali është takuar edhe me Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.

Takimin e ka bërë të ditur presidentja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.

“Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë”.

Osmani shtoi se, “synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”.

Osmani takohet me Papë Françeskun: Njohja nga Vatikani vazhdon të jetë synim i Kosovës

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore