Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë vizitës së saj në Itali është takuar me Papë Françesku në Selinë e Shenjtë.
Takimin e ka bërë të ditur presidentja përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’.
“Papën e njoftova me vendosmërinë tonë për ta kultivuar e promovuar më tej paqen, harmoninë dhe bashkëjetesën ndërmjet njerëzve, si vlera të popullit tonë, mbi të cilat janë kultivuar e ruajtur prej afro dymijë vjetësh edhe raportet tona me Selinë e Shenjtë”.
Ajo tutje ka thënë se e ka falënderuar atë për mbështetjen ndaj Kosovës, ndërsa i ka bërë të ditur edhe synimet e vendit për rrugën euroatlantike të Kosovës.
“Në mënyrë të veçantë e falënderova Atin e Shenjtë për kujdesin që ai po tregon ndaj Kosovës dhe e falënderova për vendimin e tij të para pesë vjetëve, që Administratën Apostolike ta ngrinte në nivel të dioqezës. Ishte kënaqësi e veçantë po ashtu që të shkëmbeja me të pikëpamjet mbi orientimin euroatlantik të Kosovës dhe progresin e vendit tonë drejt këtij synimi”.
Osmani shtoi se, “synimi i Kosovës për njohje nga Vatikani kontribuon në këtë drejtim dhe në avancimin e mëtejmë të raporteve tona shekullore”.
Sipas saj, raportet mes Kosovës dhe Vatikanit si dhe zgjerimi i bashkëpunimit në shumë fusha janë orientim i përbashkët.
Më 22 janar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar drejt Italisë për vizitë në Shtetin e Vatikanit.
Gjatë qëndrimit në Romë, Osmani do të pritet edhe nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella, me të cilin do të diskutojnë për avancimin e bashkëpunimit bilateral si dhe rritjen e koordinimit për tejkalimin e sfidave aktuale të sigurisë në rajon dhe përtej.
Ndryshe, nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosovën nuk e njeh akoma Serbia, e as Bosnje dhe Hercegovina, kurse nga vendet e Bashkimit Evropian nuk e ka njohjen e Greqisë, Rumanisë, Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros.
Njohja e fundit që ka marrë Kosova ka qenë nga shteti i Izraelit, në shkurt të vitit 2021.
Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.
/Albanianpost.comLajmet kryesore
-
BE-ja e demanton Osmanin: Ne ende insistojmë që hapja e urës të diskutohet në dialog
-
Prurjet nga remitancat arritën vlerën 268 milionë euro, sipas BSH-së
-
Britania e Madhe ndalon të gjitha fluturimet me Iranin ndërsa aleatët rritin sanksionet
-
Muslija pranon fajin pas përjashtimit nga Kosova: Kam bërë gabim, marr përgjegjësinë