Lajme

MAShTI në Kosovë ndan bursa për studentet në universitetet prestigjioze


Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, ka bërë publike listën e bursisteve kosovar te cilët studiojnë në universitetet prestigjioze të botës.

Në listën e studentëve përfitues janë 16 studentë të pranuar në Top Universitetet më të mira ku ata studiojnë BA, MA apo PhD.

Ndërsa njëri nga 16 studentet përfitues, Besfort Shala për Albanian Post, ka deklaruar se është hera e parë që ka aplikuar për këtë bursë.

“Shuma nuk është e mjaftueshme për mbulimin e plotë të shpenzimeve të shkollimit, por megjithatë është një ndihmë substanciale”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se nuk ka bursë nga Universiteti i Oxford ku ai studion për matematikë, në nivelin mastër të studimit.

“Po shpresoj se do t’ia dal, shpenzimet e shkollimit kapin vlerën prej 27 mijë e 460£ (funta), për një vit të plotë akademik”, shtoi Shala.

Ndërsa nga ana tjetër Ministria Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci është shprehur se ndihet e lumtur që do të mbështes 16 studentë të rinj të Kosovës që studiojnë në Top 50 universitetet më të mira në botë.

Në këtë thirrje të MAShTI-të mësohet se kanë aplikuar gjithsej 531 studentë ndërkaq, komisioni vlerësues ka përzgjedhur 16 studentët përfitues që do të mbështeten me nga 6 mijë e 500 euro.

Përfituesit janë përzgjedhur në bazë të rangimit të universitetit ku janë pranuar sipas listës “Times Higher Education”, dhe për bazë janë marrë Top 150 universitetet më të mira në botë.

Të gjithë kandidatët e përzgjedhur janë studentë të 50 universiteteve më të mira në botë ndërsa 50 për qind e tyre hyjnë në mesin e top dhjetëshes së kësaj liste botërore në nivelin Bachelor, Master dhe PhD.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore