Lajme

MAShTI: 200 mijë euro për OJQ-të që përkrahin nxënësit me aftësi të kufizuara


Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se janë ndarë 200 mirë euro për Organizata Joqeveritare (OJQ), të cilat përkrahin e promovojnë nxënësit me aftësi të kufizuar, nxënësit me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti  si dhe nxënësit që kanë nevojë për mbështetje psiko-sociale.

Përmes një statusi në Facebook, Nagavci ka ftuar të gjitha OJQ-të që të aplikojnë në mënyrë që të jenë përfituese të këtij projekti.

“Për të përkrahur e promovuar nxënësit me aftësi të kufizuara, nxënësit me IQ të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti si dhe nxënësit që kanë nevojë për mbështetje psikosociale, kemi hapur thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare për financimin e projekteve të OJQ-ve që punojnë në këto fusha”, ka shkruar Nagavci.

Ajo tutje bën të ditur se vlera totale e kësaj thirrje do të jetë 200 mijë euro.

“Vlera totale e kësaj thirrje do të jetë 200,000,00 euro. OJQ-të mund të aplikojnë me projektet e tyre për fushat prioritare si: Qasja profesionale në edukim gjithëpërfshirës në fëmijërinë e hershme për fëmijët me aftësi të kufizuar”.

Dokument për ndarjen e 200 mijë eurove për OJQ-të nga MAShTI.

E po ashtu, “ngritja e kapaciteteve për identifikim dhe përkrahjen e fëmijëve/nxënësve me aftësi të jashtëzakonshme, talente dhe dhunti, krijimi i ambienteve të sigurta dhe mike në shkolla, ku fëmijët ndihen të mbështetur për t’u përballur me problemet e ndryshme sociale”.

Ndërkaq, u shpreh se angazhimi i tyre për nxënësit do të jetë i vazhdueshëm dhe nuk do të ndalet.

“Ftoj të gjitha OJQ-të e interesuara që të aplikojnë në këtë thirrje”.

Më 23 shtator, Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci, ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve në shkolla, duke shtuar se shkollat “janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”.

Nagavci, përmes një video mesazhi ka theksuar se është e rëndësishme që të gjithë të jenë të vaksinuar.

“Ministria e Arsimit bashkë me Drejtoritë e Arsimit dhe udhëheqësit e shkollave, i ka bërë të gjitha përgatitjet për kthim të sigurt të fëmijëve tanë në shkolla. Përqindja e vaksinimit në mesin tonë duhet të jetë 100 për qind. Arsimi cilësor mund të ofrohet vetëm në shkolla, prandaj edhe shkollat janë institucionet e para që duhet të hapen dhe të fundit që duhet të mbyllen”, ka thënë Nagavci.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore