Sport

Manchester United përgatit ofertë rekord për yllin e Napolit


Manchester United është duke përgatitur një ofertë “të çmendur” për transferimin e sulmuesit të Napolit, Victor Osimhen.

Në fakt, siç raportohet nga “Daily Mail”, United pritet ta bëjë një ofertë rekord nga Premier Leauge, mbi 120 milionë euro për transferimin e sulmuesit afrikan.

Pra, deri më tani transferimi më i shtrenjtë në historinë e Ligës Premier, ishte Enzo Fernandez që para pak ditësh kaloi nga Benfica në Chelsea për 121 milionë euro.

Por, në rast se do të transferohet Osimhen në verën e ardhshme, atëherë ai do të jetë rekordi i ri.

Gjithashtu, në rast se operacioni do të mbyllet me sukses, do të jetë shitja më e shtrenjtë në historinë e Napolit, duke tejkaluar 90 milionët që Juventusi pagoi për Higuain në verën e vitit 2016 dhe gati duke dyfishuar 64.5 milionët që PSG shpenzoi për Cavani-n.

Osimhen në fakt është objektiv edhe i disa klubeve tjera, përfshirë Paris Saint Germain dhe Chelsea-n.

Osimhen po kalon në formë shumë të mirë edhe në këtë sezon, i cili momentalisht është golashënuesi më i mirë në Serie A me 16 gola dhe katër asistime.

Kujtojmë që sulmuesi 24-vjeçar iu bashkua Napolit në verën e vitit 2020 nga skuadra e Lille për shumën e 75 milionë eurove.

Ai ka kontratë të lidhur me Napolin deri në verën e vitit 2025.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore