Përballje

Manchester United – Milan “finalja” e parakohëshme e Europa League


Të enjten, 16 skuadrat e mbetura në garën e Ligës së Evropës, do të zbresin në fushë për të zhviluar ndeshjet e para të 1/8-ës së finalës.

Në këtë fazë të eliminimit direkt të kësaj gare, pa dyshim që vëmendja do të jetë në ndeshjen mes Manchester United dhe Milan, ndeshje kjo që u cilësua si “finalja e parakohëshme”.

Dy ndër klubet me më shumë emër dhe me më së shumti tifoz në botë, do të masin forcat fillimisht në ndeshjen e parë, e cila do të zhvillohet këtë të enjte në ora 18:55 në stadiumin “Old Trafford” në Manchester.

Deri më tani United dhe Milan ishin takuar vetëm në Ligën e Kampionëve, ndërsa këtë herë rrethanat mundësojnë një përplasje krejtësisht të veçantë ndërmjet tyre në Europa League.

United dhe Milani janë ndeshur 10 herë në Champions League dhe në Kupën e Kampioneve, e bilanci i përgjithshëm përmban nga pesë fitore për secilin ekip.

Dy javë më parë “Kuqezinjtë” eliminuan Crvena Zvezda-n, falë rregullit të golave të shënuar jashtë fushe, ndërsa “Djajtë e Kuq” në fazën e 1/16 mundën thellë me rezultatin e përgjithshëm 4:0 ekipin bask të Real Sociedad-it.

Edhe situatën në kampionatet respektive këto dy skuadra e kanë të njëjtë, teksa pozicionohen në vendin e dytë.

Kështu në Serie A, “kuqezinjtë” kanë grumbulluar 56 pikë pas 26 javëve dhe ndjekin Interin me gjashtë pikë më pak në kampionatin italian, ndërsa “djajtë e kuq” në anën tjetër krenohen me 54 pikë dhe pas 28 ndeshjeve kanë një diferencë prej 11 pikësh me City-n e Guardiolës, por gjithsesi fundjavën e kaluar ia dolën mbanë për të triumfuar në derbi, duke mposhtur Manchester Cityn  2:0 brenda në Etihad.

Trajneri i Manchesterit, Ole Gunnar Solskjaer nuk do të ketë në dispozicion lojtarë si: De Gea, Rashford, Pogba, Mata, Jones dhe Van De Beek.

Gjithashtu edhe homologu i tij Stefano Pioli do të vuajë shumë mungesa si: Ibrahimovic, Calhanoglu, Rebic, Hernandez, Bennacer dhe Mandukic.

Manchester United i ka fituar që të gjithë trofetë e mundshëm në Kupat e Evropës, ndërsa te Milani, i vetmi trofe që mungon është pikërisht ky i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në Kontinentin e Evropës.

Në ora 18:55, përveç këtij derbi, do të luhen edhe tre ndeshje tjera, Dynamo Kyev – Villareal, Ajax – Young Boys dhe Slavia Prague – Rangers.

Në mbrëmje në ora 21:00, me interes pritet takimi në mes të Tottenham Hotspur dhe Dinamo Zagreb.

Sipas shortit Tottehnam kishin favorin për ta luajtur ndeshjen e kthimit në shtëpi, megjithatë për shkak të Arsenalit gjithcka u ndërrua në kalendar, kështu që Spurs do ta luajnë takimin e e parë pikërisht në stadiumin e tyre.

Gjelat konsiderohen favorit në këtë takim, por sidoqoftë klubi i famshëm kroat nuk është për t’u nënvlerësuar.

Po në mbrëmje në orën 21:00 do të zhvillohen gjithashtu edhe duelet Olympiacos – Arsenal, Roma – Shakhtar Donetsk dhe Granada – Molde.

18:55

Manchester United – Ac Milan

Ajax – Young Boys

Dynamo kyiv – Villareal

Slavia Prague – Rangers

21:00

Granada – Molde

Olympiacos – Arsenal

Tottenham – Dinamo Zagreb

Roma – Shakhtar Donetsk

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore