Sport

Manchester United, finalisti i dytë i EFL Cup


Manchester United ka arritur të sigurojë pjesëmarrjen në finalen e EFL Cup pasi eliminoi në gjysmëfinale skuadrën e Nottingham Forest.

United arriti të fitonte në të dyja përballjet ndaj Nottingham-it. Në takimin e zhvilluar më 25 janar, ata kishin fituar 3-0. Ndërsa në sfidën e kësaj të mërkurë “Djajt e Kuq” fituan 2-0 me golat e Anthony Martial dhe Fred.

Në finale skuadra e drejtuar nga Erik ten Hag do të përballet me Newcastle United. Me këta të fundit që mbërritën në këtë fazë pasi eliminuan në gjysmëfinale Southampton-in (1-0, 2-1).

Finalja e këtij sezoni do të zhvillohet në stadiumin mitik “Wembley” të Londrës më 26 shkurt.

United është një nga skuadrat më të titulluara në EFL Cup me pesë trofe të tillë, teksa ka humbur dhe katër herë në finale.

Finalja e fundit që ata kanë luajtur ka qenë në sezonin 2016-17 kur mundën 3-2 Southampton-in me golat e Zlatan Ibrahimovic (dy) dhe Jesse Lingard. Ndërsa në stolin e tyre asokohe ishte Jose Mourinho.

Për Newcastle kjo do të jetë finalja e dytë historike. E para, e luajtur në sezonin 1975-76 u humb 2-1 përballë Manchester City-t.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore