Përballje

Malisheva dhe Ulpiana inkuadrohen në Superligën e Kosovës


Skuadra e Malishevës është ngjitur në Superligën e Kosovës në futboll për herë të parë në histori.

Malisheva zëri vendin e parë në grupin A të Ligës së Parë të Kosovës, duke grumbulluar 60 pikë, dy më shumë se vendi i dytë, Dukagjini.

Në ndeshjen e fundit ata mposhtën skuadrën e Vllaznimit me rezultat 3:0.

Pra, klubi i cili u themelua vetëm para pesë vjetësh, në edicionin e ardhshëm do të jetë pjesë e Superligës së Kosovës.

Ngjashëm si Malisheva, edhe klubi nga Lipjani, Ulpiana, ka arritur që të inkuadrohet në Superligën e Kosovës.

Ulpiana u shpall kampion i grupit B në Ligën e Parë të Kosovës me 53 pikë, vetëm një më shumë se Flamurtari.

Në ndeshjen e fundit ata mposhtën skuadrën e Ramiz Sadikut me rezultat 1:2, kështu duke u ngjitur në Superligë pas 12 vjetësh.

Ndërsa dy skuadrat të cilat përfunduan në vendet e dyta të grupieve A dhe B, Flamurtari dhe Dukagjini do të luajnë në barazh ndërmjet veti të premten me fillim nga ora 15:00 në stadiumin e Drenasit.

Pastaj fituesi mes tyre do të ballafaqohet në finale më vendin e tetë në Superligën e Kosovës, për të siguruar pjesëmarrjen në elitën e futbollit kosovar në edicionin e ardhshëm.

Kurse, vendi i 10-të në Superligë, e cila është Besa, tashmë edhe zyrtarisht do të luajë sezonin e ardhshëm në kategorinë e dytë të futbollit kosovar, deri sa vendi i tetë dhe i nëntë do të përcaktohen në xhiron e fundit të Superligës e cila do të zhvillohet të dielën e ardhshme.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore