Zgjedhjet në Kosovë

LVV në Vushtrri përcaktohet kundër LDK-së


Qyteti i Vushtrrisë

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në Vushtrri nuk do ta përkrahë kandidatin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të komunës, Xhafer Tahiri i cili aktualisht është kryetar i kësaj komune, por që në zgjedhjet e 17 tetorit doli kandidati i dytë me 33.77% të votave.

Nënkryetarja e parë e Lëvizjes Vetëvendosje në qytetin e Vushtrrisë, Gresa Muli ka thënë se tashmë ka një qëndrim dhe disponim në LVV se kandidati i LDK-së, Tahiri nuk do ta ketë përkrahjen e tyre në raundin e dytë.

Arsyet e mos përkrahjes së Tahirit të LDK-së mund të jenë për shkak të bashkëqeverisje dhe mos-marrëveshjeve mes tyre të cilat quan në prishjen e koalicionit qeverisës qysh para tetë muajsh, duke shtyrë që të gjitha pozitat që mbante LVV t’i lë duke u tërhequr.

“Në opsion as tash e as në të ardhmen nuk është kandidati i LDK-së”, duke lënë të nënkuptuar mundësinë për të përkrahur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferit Idrizi i cili ka arritur të marr 34.89% të votave, duke u bërë kandidati më i votuar.

Muli ka deklaruar se brenda dy ditësh do të diskutohet në degën e subjektit të tyre rreth analizës së rezultateve dhe temat e tjera të cilat kanë të bëjnë edhe me mundësinë e krijimit të ndonjë koalicioni por duke përjashtuar mundësinë për përkrahjen e Tahirit.

“Sot ose nesër do të kemi një mbledhje në Vushtrri për të diskutuar disa tema. Te shohim dhe analizojmë rezultatin e VV-së në Vushtrri por edhe këtë se, VV nuk do ta përkrah Tahirin në Vushtrri”, ka thënë nënkryetarja e parë e degës së LVV në Vushtrri Gresa Muli për Blic.

Lëvizja Vetëvendosje në Vushtrri ka arritur të dalë subjekti i tretë, duke siguruar 26.03% të votave për kryetar dhe për asamble komunale 24.98%.

Prishja e bashkëqeverisjes mes LDK-së dhe LVV-së në Vushtrri kishte quar në akuza dhe kundër akuza, por LVV kishte konsideruar se fajtor për krejt atë çfarë ka ndodhur është Xhafer Tahiri.

Më 17 tetor qytetarë e Komunës së Vushtrrisë kandidatit të PDK-së, Ferid Idrizi i dhanë 10 mijë e 57 vota, Xhafer Tahirit të LDK-së, 9 mijë e 735 vota dhe Arsim Rexhepit të LVV-së 7 mijë e 504 vota.

Raundi i dytë pritet të mbahet në mesin e nëntorit ku edhe do të përcaktohet fituesi i zgjedhjeve në këtë komunë.

LVV ishte përcaktuese e fituesit edhe në zgjedhjet e vitit 2017

Në zgjedhjet e vitit 2017 PDK kishte shkuar në balotazh me LDK-në.

Në raundin e parë PDK me kandidat Ferid Idrizin kishte arritur të siguronte 10 mijë e 184 vota ose 33.29%, kurse LDK me kandidat Xhafer Tahirin kishte arritur të jetë subjekti i dytë më i votuar me 7 mijë e 842 vota ose 25.64%.

Por, në raundin e dytë LDK me përkrahjen e LVV-së e cila kishte dalë si subjekti i tretë më i votuar me 25.10% dhe disa subjekte të tjera kishin favorizuar Tahirin, duke bërë fitues me 54.24% ose 15 mijë e 122 vota, duke lënë pas Ferit Idrizin e PDK-së me 45.76% ose 12 mijë e 758 vota.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore