Lajme

Lufta e dytë e Putinit për gazin sapo ka nisur


E pamundur të thuhet me siguri se Vladimir Putin ka gisht në atë që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe tregjet globale të energjisë.

E gjitha sepse mungojnë të dhëna të disponueshme.

Kjo të paktën derisa të dalin të dhënat nga analiza e dronëve të përdorur nga Hamasi.

Po ashtu mungojnë rezultatet e hetimeve për sabotimin e mundshëm të ditëve të fundit në Balticonnector, gazsjellësin midis Finlandës dhe Estonisë.

Çka po shpaloset pas sulmeve të së shtunës ndaj Izraelit është një skenar që diktatorit rus i duket shumë i dobishëm: i lejon atij të ndjekë atë që ka efektet objektive të një lufte të dytë gazi kundër Bashkimit Evropian.

Kjo pasi Putini luftoi dhe humbi luftën e parë të gazit në verën dhe vjeshtën e vitit 2022.

Ai u përpoq të vinte nën presion qeveritë evropiane duke shkurtuar thuajse plotësisht furnizimet e Gazprom përmes kanaleve më tradicionale.

Ky ishte viti i luftës së parë të gazit që Rusia e kishte nisur fshehurazi për shumë muaj përpara agresionit ndaj Ukrainës.

Por nuk shkoi ashtu siç shpresonte Putini.

Qeveritë evropiane ishin të shpejta për t’iu drejtuar furnizuesve të tjerë dhe teknologjive të tjera, kryesisht gazit të lëngshëm.

Në gjysmën e parë të vitit 2023, Bashkimi Evropian ka arritur dy objektiva strategjikë: reduktimin e konsumit të gazit me 15 për qind në mesataret historike dhe rritjen e kapacitetit të importit të gazit të lëngshëm me anije me 20 për qind.

Dhe kështu përfundoi lufta e parë e gazit.

Por tani rrezikon të nisë një e dytë.

Ndryshe nga pritshmëritë e shumë njerëzve, çmimi i metanit në Evropë është rritur më shumë se çdo lëndë tjetër e parë pas sulmeve të Hamasit.

Kurse nafta është rritur me 3.6 për qind, ndërkohë që çmimi i gazit natyror jashtë Evropës është rritur me afërsisht 10 për qind.

Sipas analistëve, bëhet fjalë për tre faktorë që kanë shtyrë gazin në Evropë.

I pari është një treg tashmë në tension për shkak të grevave në sektorin e minierave të Australisë.

Më pas kontribuoi një efekt i dyfishtë i ditëve të fundit: pezullimi i vendosur nga Izraeli për arsye sigurie të nxjerrjes në fushën Tamar, midis vetë Izraelit dhe Egjiptit, gjë që mund të reduktonte furnizimin me gaz të lëngshëm në Evropë.

Dhe tjetri, sabotimi misterioz i infrastrukturës mes Finlandës dhe Estonisë, i cili mbërriti me një kohë të përsosur për të krijuar akoma më shumë tension në këtë treg strategjik për vendet evropiane.

Kjo pasi ka pasoja në rrjedhën e poshtme të familjeve, bizneseve, inflacionit, normave të interesit dhe borxhit publik.

Nëse nuk ka dorë Putini, ai nuk shqetësohet nga çka po ndodh.

Megjithatë, nafta është më e qëndrueshme për një arsye themelore: vetë autoritetet izraelite sinjalizojnë se do të bëjnë një përpjekje për të mos përhapur krizën e vazhdueshme në Iran.

Çka duket të jetë një vijë e kuqe kryesore që administrata amerikane u ka sinjalizuar partnerëve të saj izraelitë.

Vetë Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken ka deklaruar ditët e fundit se “deri më tani nuk kemi parë asnjë provë që Irani qëndron drejtpërdrejt pas këtij sulmi”.

Ndërkaq, Shtëpia e Bardhë nuk dëshiron që konflikti të përhapet në një vend prodhues nafte nga tre milionë fuçi në ditë, si Irani.

Ndikimi në çmimin e një gallon benzine në SHBA do të rrezikonte të acaronte opinionin publik dhe të shkaktonte humbjen e presidentit amerikan Joe Biden në zgjedhjet e vitit 2024.

Nuk është rastësi që në vitet e fundit amerikanët kanë lejuar Iranin të rrisë prodhimin me dy dhe tre milionë fuçi në ditë.

E vetmja gjë që amerikanët u kanë kërkuar izraelitëve të mos bëjnë është të prishin këtë ekuilibër të brishtë.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore