Shqipëria

Lojë politike e shumicës dhe presidentit?


Fill pas shpalljes si fitues në zgjedhjet parlamentare, më 25 prill, me 74 mandate, deputetët e Partisë Socialiste (PS) “iu vunë pas” presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Plot 50 deputetë socialistë kanë firmosur pro largimit nga presidenca të ish-kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI).

Komisioni Hetimor Parlamentar ka filluar punën, duke e çuar kërkesën e socialistëve parlamentarë në seancën plenare, që do të mbahet të premten e 7 majit.

Për të dytën herë, brenda dy viteve, Parlamenti ka ndërmarrë një nismë të tillë për ta larguar Metën nga posti i presidentit.

Ai akuzohet nga mazhoranca parlamentare për “kryerjen e veprave në kundërshtim me frymën e ligjit dhe Kushtetutën”.

Të parën akuzë, mazhoranca e ngriti pas dekretit të presidentit, mbi anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, e cila u kthye në një rezolutë të votuar me 100 vota pro, në seancën e 13 qershorit të vitit 2019.

Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, presidenti ka shkelur Nenin nr.4 të Kushtetutës, i cili ka të bëjë me “shtetin e së drejtës”.

Më 6 maj 2021, Komisioni u rimblodh, duke miratuar raportin e propozuar nga relatorja Klotila Bushka, për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor për shkarkimin e Ilir Metës.

“Loja politike e shumicës dhe presidentit”

Analisti politik, Aleksandër Çipa, këtë e sheh si “lojë politike” nga shumica dhe presidenti i Republikës.

“Mendoj se kjo është pjesë e lojës politike që zhvillohet midis shumicës dhe presidentit të Republikës”, tha Çipa në një deklaratë për Albanian Post (AP), duke e cilësuar Metën se preferon të mbetet një protagonist politik, më shumë se një aktor institucional.

Në vijim analisti e krahasoi këtë nismë të shumicës aktuale, të njëjtë me nismën e ndërmarrë nga demokratët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), për të dytën herë, për impeachment ndaj presidentit Trump.

A ka konsensus brenda PS-së?

Deputeti Fatmir Xhafaj, i cili është një ndër anëtarët e grupit parlamentar që nuk ka firmosur për shkarkimin e presidentit, thotë për AP-në se “jemi më shumë se gjysma e grupit të shumicës që nuk kemi firmosur”.

Në vijim, ai shpjegon se, “bazuar në Kushtetutën e Shqipërisë”, janë të mjaftueshme 28 firma për të filluar procesi për Komisionin Hetimor.

“Votojnë të gjithë deputetët, por nuk firmosin të gjithë deputetët”, deklaron Xhafaj për AP-në, duke përmendur që “nuk është informuar fare rreth kësaj nisme”.

Ndërkohë analisti Çipa shprehet se “kjo nismë ka si qëllim të spostojë vëmendjen e publikut”.

Sipas tij, “nuk realizohet dot” një proces i tillë, vetëm nëse do të merret në konsideratë akuza për krime të rënda.

Por, kjo mund të ndodhë, thotë Çipa, “edhe nëse mund të nxirret nga agjenda ndonjë akuzë, për të cilën nuk ka dijeni ende opinioni publik dhe shoqëria e vendit”.

Deputeti i zgjedhur për Qarkun e Tiranës, Xhemal Qefalia, për AP-në tha se ka një numër deputetësh që kanë firmosur për shkarkimin e Metës.

“Vota do të jetë nominale, nuk do të jetë votë e përgjithshme. Kështu që gjithsecili, që mendon se presidenti ka shkelur Kushtetutën, do të operohet për shkarkimin e tij”, tha Qefalia, duke vënë në dukje se “do të vazhdohet procedura normale mbështetur në rregulloren e Kuvendit” për shkarkimin e Metës.

Çfarë thotë opozita parlamentare?

Deputetja e Parlamentit të vjetër, njëherësh dhe anëtare e opozitës parlamentare, Rudia Hajdari, e cila refuzoi të digjte mandatin e saj, në vitin 2019, bashkë me ish-deputetët e Partisë Demokratike (PD) është distancuar plotësisht nga të gjitha qëndrimet apo nismat parlamentare.

Ajo nuk arriti të siguronte mandatin e saj, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021, si kandidate për deputete e partisë Nisma Thurje.

Kandidati për deputet i PS-së, Halit Valteri, për Kamzën, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, që aktualisht është deputet dhe përfaqësues i opozitës parlamentare, e ka përkrahur këtë nismë.

“E mbështesim nismën e deputetëve socialistë për të larguar presidentin”, tha ai për AP-në.

Por, nga ana tjetër, analisti Çipa nuk është shprehur aspak optimist rreth shkarkimit nga roli i presidentit Ilir Meta, i cili gjatë fushatës elektorale, të zgjedhjeve parlamentare 2021, ka bërë akuza dhe deklarata të njëpasnjëshme ndaj qeverisë, kryesisht nga qyteti i Durrësit dhe i Vlorës.

“Nuk do të ekzistojë besoj vullnet për parlamentin e ri, pas korrikut, që të merret dhe të vendoset në krye të agjendës, një nismë të lënë në mes nga shumica, mandatin e tretë qeverisës”.

Meta, i cili ka deklaruar se më 22 korrik të vitit 2022 do të kthehet për të rimarrë kartën e anëtarësisë, në partinë e tij LSI, ka refuzuar dy herë radhazi pjesëmarrjen në Komisionin e Ligjeve për shkak të agjendës.

Ai ka afat kohor deri më 10 maj, për t’u paraqitur në Komisionin e Ligjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore