Lajme

Komisioni i Ligjeve i propozon Kuvendit të hetojë shkeljet e presidentit Meta


Komisioni i Ligjeve ka miratuar raportin e propozuar nga relatorja Klotila Bushka, për ngritjen e një komisioni të posaçëm hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Komisioni miratoi raportin e përpiluar mbi kërkesën e 50 deputetëve socialistë ndaj Metës me 14 vota pro dhe një kundër, Adriatik Alimadhi.

Tani i takon Kuvendit të vendosë nëse do të ngrejë apo jo një komision për të hetuar aktivitetin e Presidentit, procedurë që pritet të zhvillohet brenda kësaj jave për të qenë brenda afateve ligjore të parashikuara në rregullore.

Kryetari i Komisionit, Ulsi Manja, lidhur me kërkesën tha se është dakord me argumentet e vëna në themel të kësaj.

“Është hera e dytë që Kuvendi në pak kohë inicion një kërkesë të dytë për shkarkimin e presidentit. Presidenti ka shkelur nenin nr.4 të Kushtetutës që ka të bëjë me shtetin e të drejtës. Presidenti ka kërkuar t’u imponojë vullnetin e tij politikë këtyre institucioneve, duke i paralajmëruar edhe për përgjegjësi penale, i ka etiketuar”, tha Manja.

Sipas tij, në të gjithë veprimtarinë dhe sjelljen e presidentit nuk ka asgjë presidenciale, është një sjellje absurde e tij.

“Me 14 vota pro dhe 1 kundër është miratuar raporti i propozuar”.

Për herë të dytë, presidenti Ilir Meta refuzoi pjesëmarrjen në Komisionin e Ligjeve për shkak të agjendës ndërsa shtoi se ka kohë më 10 maj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore