Shqipëria

Mblidhet Komisioni i Ligjeve për shkarkimin e presidentit, Meta refuzon ftesën


Komisioni i Ligjeve është mbledhur përsëri më 6 maj, për të shqyrtuar shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta, firmosur nga 50 deputetë të Kuvendit.

Presidenca, në një përgjigje për Komisionin e Ligjeve, ka thënë se Meta nuk mund të jetë i pranishëm për shkak të agjendës së tij.

Ndërkohë, në deklaratë theksohet se presidenti i qëndron datës së parë të kërkuar nga ai, më 10 maj për t’u ballafaquar me Komisionin.

Në fillim të seancës, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, bëri me dije se presidenti Meta është vënë në dijeni nga kryetari i Kuvendit lidhur me kërkesën e një grupi deputetësh që kërkojnë shkarkimin e tij.

“Nuk e di se çfarë agjende më të rëndësishme ka Meta sesa kërkesa e deputetëve që kërkojnë shkarkimin e presidentit”, tha Manja në deklaratën e tij.

Seanca e parë

Manja, në seancën e parë, u kërkoi kolegëve të tij, që të paraqesin argumentet dhe shkaqet që i kanë shtyrë për të firmosur shkarkimin e presidentit.

Nënkryetarja e Kuvendit dhe një nga firmëtaret e kësaj nisme, Vasilika Hysi, tha se presidenti ka shkelur Kushtetutën, duke përçarë popullin. Sipas saj, gjuha e përdorur nga presidenti ishte denigruese dhe fyese.

Gjithashtu, shtoi ajo, aktiviteti i presidentit gjatë dhe para fushatës, ka nxitur “ndasi sociale”, duke i shtyrë deputetët që të kërkojnë shkarkimin e tij.

“Presidenti i Republikës në rolin e kreut të shtetit, nuk e ka ushtruar funksionin e unitetit kombëtar. Nuk ka qenë mbi palët. Presidenti nuk ka ushtruar kompetencat e tij kushtetuese. Ngjarjet para fushatës zgjedhore dhe gjatë fushatës, si dhe në heshtjen zgjedhore, ku ndalohen deklaratat”.

“Kushtetuta thotë që presidenti s’mund të jetë kryetar partie. Veprimet para dhe gjatë fushatës, dëshmojnë që presidenti kryente veprime haptazi politike, në shkelje flagrante të Kushtetutës. Me mesazhet e dhëna nuk ka ulur tensionin politik, përkundrazi e ka nxitur atë, duke inkurajuar njerëz të konfliktojnë”.

“Presidenti i Republikës ka qenë aktiv në rrjete sociale, me të gjithë periudhën e mëparshme. Vetëm më 25 prill, presidenti ka publikuar mesazhe denigruese. Këto bien ndesh në standardet evropiane”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore