Përballje

Liverpool mposht Atletico-n, PSG ndalet nga Leipzig


Kanë përfunduar të gjitha ndeshjet e xhiros së katërt të grupeve të këtij edicioni në Ligën e Kampionëve.

Në derbin e Grupit B, skuadra e Liverpool-it ka shënuar fitore përballë Atletico Madrid-it me rezultat 2:0.

Diogo Jota dhe Sadio Mane shënuan dy golat për anglezët në pjesën e parë, derisa fitoren më të lehtë atyre ia bëri përjashtimi nga loja i futbollistit të spanjollëve, Felipe në pjesën e parë.

Me këtë fitore, Liverpool-i ka siguruar kualifikimin tutje në fazën e 1/8-ve, derisa Atletico mbetet në vendin e tretë me katër pikë të grumbulluara, një më pak se Porto e vendit të dytë.

Në ndeshjen tjetër, skuadra e Paris Saint Germain barazoi me rezultat 2:2 në udhëtim te Leipzig.

Ata që nisën më mirë ndeshjen, ishin Leipzig-u, pasi që kaluan të parët në epërsi në minutën e tetë përmes Christopher Nkunku.

Vetëm katër minuta më vonë, gjermanët patën një mundësi të artë për të dyfishuar rezultatin, por Andre Silva ishte i pasaktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Reagimi i parisienëve ishte shumë i shpejtë, pasi që në pjesën e parë rikthyen epërsinë duke shënuar dy gola, me anë të mesfushorit Georginio Wijnaldum.

Pjesa e dytë u karakterizua me shumë raste shënimi nga dyja skuadrat, por gola nuk pati deri në minutat shtesë, kur Dominik Szoboszlai barazoi shifrat në 2:2 nga penalltia.

Me këtë barazim, skuadra e Parisit gjendet në vendin e dytë të Grupit A, me tetë pikë të grumbulluara, një më pak se Manchester City i vendit të parë, që mposhtën belgët e Club Brugge me shifrat 4:1.

Ndeshje interesante u zhvillua edhe në “Signal Iduna Park” të Dortmund-it, aty ku skuadra vendase u mposht nga Ajax-i me rezultat 1:3.

Mats Hummels la ekipin e Dortmund-it me një futbollist më pak, pasi u përjashtua nga loja në minutën e 29-të, por nuk shkoi shumë dhe Marco Reus kaloi verdhezinjtë në epërsi me golin e realizuar nga penalltia.

Me një futbollist më shumë në fushë, mysafirët shtuan presionin dhe arritën të rikthejnë epërsinë në pjesën e dytë me golat e realizuar nga Tadic, Haller e Klassen.

Me këtë fitore, Ajax-i siguron kualifikimin tutje nga grupet, pasi që renditen të parët me 12 pikë, kurse Dortmund-i mbetet me gjashtë pikë, aq sa ka edhe Sportingu i Lisbonës, që deklasuan Besiktas-in me shifrat 4:0.

Fitore të rëndësishme arriti edhe skuadra e Inter-it, që mposhtën në udhëtim Sheriff Tiraspol, me shifrat 1:3.

Pjesa e parë e këtij takimi nuk prodhoi gola, derisa në të dytën italianët arritën të shënojnë plotë tre herë, kurse në minutat shtesë, vendasit shënuan golin e nderit.

Me këtë fitore, skuadra e Inter-it del në vendin e dytë me shtatë pikë, një më shumë se Sheriff dhe dy më pak se Real Madrid-i lider.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore