Përballje

Liverpool-i fiton Carabao Cup, mposht Chelsea-n pas ekzekutimit të penalltive në finalen që VAR-i mori vendime të çuditshme


Liverpool-i është fitues i Carabao Cup, teksa mposhtën në finale skuadrën e Chelsea-t pas ekzekutimit të 22 penalltive.

Loja ishte spektakolare që nga fillimi e deri në fund, por golat munguan pavarësisht të rasteve të shumta nga dyja skuadrat.

Christian Pulisic dhe Mason Mount patën nga një mundësi të artë për Chelsea-n, ndërsa për Liverpool-in nuk u tregua i saktë Sadio Mane, të cilit portieri Mendy ia mohoi një gol.

Edhe pjesa e dytë kishte shumë mundësi shënimi, por përsëri portat mbetën të paprekura.

Koha e rregullt edhe ajo shtesë, nuk dhuruan gola, derisa skuadrat u përgatitën për ekzekutimin e penalltive.

Trajneri i Chelsea-t, Thomas Tuchel, inkuadroi në lojë portierin tjetër, Kepa Arrizabalaga për të mbrojtur penalltitë, por ai doli të jetë figura famëkeqe për blutë e Londrës.

Nga 10 penallti realizuan secila skuadër, derisa radha ishte që portierët të shfaqnin aftësitë e tyre për të shënuar gol.

Portieri i Liverpool-it, Caoimhin Kelleher, u tregua i saktë, derisa ai i Chelsea-t gaboi nga 11-metërshi, gabim pas të cilit filluan të festojnë lojtarët e Liverpool-it.

Mirëpo, ajo çfarë ndodhi gjatë ndeshjes, ishte disa vendime të cilat i mori sistemi VAR, e që po konsiderohen si të padrejta.

Fillimisht, një gol i Liverpool-it i realizuar nga Joel Matip nuk u pranua, pasi VAR-i e anuloi atë shkaku që Virgil van Dijk ishte në pozitë jashtë loje edhe pse nuk kishte kontakt me topin.

Në minutat e vazhdim, një moment tjetër kontrovers erdhi, por tani në anën e Chelsea-t.

Trevoh Chalobah asistoi për Romelu Lukakun në minutën e 107-të, por VAR-i e anuloi atë për pozitë jashtë loje.

Derisa në fotot e publikuar nga mediat e huaja, shihet si Lukaku mbahet në lojë nga Joel Matip, mirëpo video asistenti i gjyqtarëve e anuloi atë për pozitë jashtë loje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore