Shqipëria

Lirohet nga burgu ish-deputeti socialist, Alqi Bllako


Të mërkurën e 6 tetorit është liruar nga burgu ish-deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako.

Mësohet se gjykata vendosi caktimin e masës ‘Arrest shtëpie’ për Bllakon, i akuzuar për çështjen e inceneratorit të Fierit.

Avokati Sokol Hazizaj ka argumentuar para gjykatës se është ezauruar i gjithë procesi hetimor dhe se ish-deputeti Bllako për shkak të largimit nga funksioni si deputet nuk ka asnjë mundësi të prishë provat.

Gjithashtu, sipas tij nuk mund t’i shmanget hetimit apo të ndikojë në procesin hetimor.

“Gjendja e familjes së tij është e rënduar. Bllako është baba i dy fëmijëve 2 vjeç dhe një fëmije 7 vjeç, ndërsa pas arrestimit nuk kanë patur përkujdesjen e nevojshme, pasi nëna është e punësuar dhe lëviz nëpër rrethe”, tha avokati.

Bllako u arrestua me kërkesë të SPAK-ut më 1 prill, pasi hoqi dorë nga mandati i deputetit që i jepte mbrojtje ligjore.

Ish-deputeti akuzohet për veprën penale “shpërdorim detyre” gjatë kohës që mbante postin e këshilltarit në Ministrinë e Mjedisit.

SPAK-u e ka akuzuar Alqi Bllakon se, në bashkëpunim me Lefter Kokën dhe zyrtarë vendorë në Fier, kanë falsifikuar dokumentet dhe kanë ndryshuar destinacionin e pronës ku do të ndërtohej inceneratori.

Sipas Prokurorisë, ish-deputeti Bllako ka favorizuar kompaninë fituese të inceneratorit të Fierit dhe ka marrë si ryshfet shumën prej 14.9 milionë lekësh në formën e pagesave që janë kaluar për llogari të babait të tij, Edmond Bllako.

Disa ditë më parë, kjo Gjykatë theksoi se duhet të vijohet zbatimi i masës arrest me burg edhe për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka.

Ky i fundit dyshohet për kryerjen e veprave penale “Shpërdorimi i detyrës”, në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në rrethanën cilësuese “në bashkëpunim”.

Dënimin me burg do ta vuajnë edhe ish-kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, ish-kryekomunari Azem Shatëri dhe ish-anëtari i Komisionit, Florjan Muçaj. Të tre shtetasit akuzohen për veprën penale “shpërdorim detyre”.

Shtetasit, e lënë në masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, janë ish-anëtarja  e komisionit, Sabina Cenameri, me akuzën e  “shpërdorimit të detyrës”.

Kujtojmë që SPAK ka lëshuar 10 urdhër arreste për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit, ku tetë ishin masa sigurie “arrest me burg” dhe dy në “arrest shtëpie”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore