Sport

Lionel Messi zbulon vendimin për pensionimin nga futbolli


Lionel Messi

Sulmuesi i Inter Miamit, Lionel Messi, ka folur së fundmi rreth mundësisë për një pensionim nga futbolli i luajtur, gjë të cilën ende nuk e ka në plan.

Ende duke kontribuar për klubin dhe kombëtaren në moshën 36-vjeçare, Messi la futbollin evropian në verën e kaluar për MLS-në, ku siç pritej ka vijuar me shkëlqimin e tij.

Messi ka marrë pjesë drejtpërdrejt në 23 gola në 19 ndeshje për Inter Miamin deri më tani, 16 golat dhe shtatë asistime, duke ndihmuar “Herons” të fitojnë Kupën e Ligës gjatë muajve të tij të parë në klub.

Ish-ylli i Barcelona-s dhe Paris Saint-Germain ka shënuar tashmë pesë gola në po aq ndeshje gjatë sezonit 2024, megjithëse ai humbi miqësoret e Argjentinës në mars me El Salvadorin dhe Kosta Rikën për shkak të një dëmtimi muskulor.

Është e paqartë nëse dëmtimi i Messi-t do të shërohet në kohë që ai të përfshihet në ndeshjen e së shtunës në MLS me New York, por vitet e tij dhe problemet e dëmtimeve kanë bërë që natyrisht të lindë çështja e pensionimit.

Tetë herë fituesi i Topit të Artë synon të udhëheqë Argjentinën gjatë Kupës së Amerikës të këtij viti, megjithëse ai ka lënë gjithashtu derën e hapur për të ndihmuar vendin e tij të mbrojë kurorën e Kupës së Botës në 2026.

Gjatë një interviste me “The Big Time Podcast”, Messi pohoi se do t’i varë këpucët sapo nivelet e performancës të bien nën standardet e tij, por ai synon të vazhdojë në fushë edhe për pak kohë.

“E di që në momentin që ndiej se nuk jam më në gjendje të performoj, se nuk më pëlqen më (të luaj) apo (mund të) ndihmoj bashkëlojtarët e mi, do të largohem”, tha argjentinasi.

“Unë jam shumë autokritik ndaj vetes, e di kur jam mirë, kur jam keq, kur luaj mirë dhe kur luaj keq”.

“Kur të ndiej se është koha për ta bërë atë hap, do ta bëj pa menduar për moshën. Nëse ndihem mirë, do të përpiqem gjithmonë të vazhdoj të konkurroj sepse është ajo që më pëlqen dhe di të bëj”.

“Nuk e kam menduar ende se çfarë do të bëj kur të dal në pension. Sot përpiqem të shijoj ditën, momentet, pa menduar për jetën pas (futbollit). Nuk jam ende i sigurt për asgjë”.

“Shpresoj të vazhdoj të luaj edhe për një kohë, gjë që më pëlqen të bëj. Kur të vijë koha, me siguri do të gjej një mënyrë për të përmbushur veten time dhe për të bërë atë që më pëlqen dhe për të gjetur një rol të ri”.

“Në nivel sportiv, unë pata fatin të arrij të gjitha ëndrrat e mia dhe e vërteta është se nuk mund të kërkoj më shumë. Falë Zotit që më dha (çdo gjë) si në nivelin profesional ashtu edhe në atë njerëzor, si dhe familjen, miqtë e mi. Mundohem të shijoj gjithçka që më ka dhënë Zoti deri më tani, që është shumë”, theksoi Messi.

Një karrierë e jashtëzakonshme për klubin dhe kombëtaren e ka bërë Messi-n të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Barcelona-s dhe Argjentina-s, ndërkohë që ka fituar 42 trofe.

Skuadra e Messi-t, Inter Miami, zë vendin e dytë në Konferencën Lindore të MLS me 10 pikë nga gjashtë ndeshje, vetëm një më pak se FC Cincinnati i vendit të parë, megjithëse ka luajtur një lojë më shumë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore