Lajme

Lind fëmija i parë afgan në Kosovë


Ilustrim

Një shtetase afgane e moshës 28 vjeçare, ka lindur një foshnje në Klinikën e Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Sipas njoftimit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitare të Kosovës (ShSKUK), foshnja ka lindur me operacion dhe peshon 3.7 kilogramë dhe i takon gjinisë mashkullore.

Lindja e foshnjës në Klinikën e Gjinekologjisë në Prishtinë

“Gjendja shëndetësore e gruas dhe e bebës është e mirë”, thuhet në njoftimin e ShSKUK-së.

Ndërkaq në muajin gusht kishin arritur grupet e para të afganëve në Kosovë.

Për t’i pritur afganët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kishte shkuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në fjalën e tij para mediave Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës u kishte uruar mirësardhje refugjatëve afganë në Kosovë.

“Refugjatëve afganë të cilët sigurisht janë të dëshpruar që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre, ju dëshiruam mirëseardhje”.

Ai kishte bërë me dije se Qeveria e Kosovës do të aprovojë çdo kërkesë të SHBA-ve dhe NATO-s.

Presidentja Vjosa Osmani gjithashtu kishte bërë me dije se të ardhurit janë ish-punënonjës të aleatëve amerikanë në Afganistan dhe familjarë të tyre.

“Treguam se i kemi hapur jo vetëm dyert por edhe zemrat tona. Si njerëz që kemi qenë viktima të pushtetit gjenocidal i kuptojmë çfarë do të thotë të ikësh nga shtepia jote”.

Pas arritjes së grupit të parë të shtetasve afganë në Kosovë, të cilët ishin 111 persona, kryesisht gra, pleq dhe fëmijë, ata priten të strehohen në ish kampin e Bechtel Enka-s në Ferizaj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore