Përballje

Liga Unike/ Rahoveci mposht Kamza Basket me rezultat të thellë


Rahoveci po vazhdon me formë shumë të mirë, ndërsa në xhiron e 13-të të Ligës Unike ka mundur në udhëtim Kamzën me shifrat 70:103.

Çereku i parë i kësaj sfide ishte interesant, ku afërsisht dy minuta para se të përfundonin 10 minutat e para, rezultati ishte 18:19, por më pas nëntë pikë radhazi bën që kjo pjesë të përfundojë 18:28.

Vreshtarët vazhduan në formë të jashtëzakonshme edhe në periudhën e dytë, duke e thelluar epërsinë deri në 24 pikë, 25:49, kurse pjesa e parë përfundon me shifrat 31:53.

Megjithatë, në periodën e tretë vendasit ishin më të mirë, duke afruar shifrat në 51:58, por që gjithsesi mysafirët nuk lejuan shkrirjen e plotë, ndërsa rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 59:69.

Rahoveci në dhjetë minutat e fundit nuk lejoi befasi, duke ngritur epërsinë, që shkoi deri në 35 pikë, 68:103, kurse ndeshja përfundoi me shifrat 70:103.

Më i miri te Kamza Basket ishte Lion Alimani me dhjetë pikë, 11 kërcime e dhjetë asistime, kurse te Rahoveci u dalluan Makol Maweirn me 27 pikë e 17 kërcime dhe Visar Ejupi me 24 pikë e katër kërcime.

Kamza Basket ka dy fitore e 11 humbje, kurse Rahoveci gjashtë fitore e shtatë fitore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore