Përballje

Liga e Kampionëve/ Mbappe i dhuron fitoren në fund PSG-së, Manchester City me një këmbë në çerekfinale


Paris Saint Germain ka arritur një fitore shumë të rëndësishme ndaj Real Madrid-it me rezultat minimal 1:0.

Kylian Mbappe ishte njeriu i ndeshjes, i cili realizoi golin e fitores, një minutë para se të përfundonte takimi.

Vendasit dominuan thuajse tërë takimin, me Real-in që gjeti goditjen e parë në portë, vetëm në minutën e fundit të pjesës së parë.

Edhe në të dytën parisienët ishin më kërkues, të cilët arritën të fitojnë një penallti, kur Mbappe u ndal në mënyrë të palejuar nga Dani Carvajal.

Nga pika e bardhë përgjegjësin për të gjuajtur e mori Lionel Messi që nuk arriti të shënojë, kjo pasoi Thibaut Courtois ishte në vend duke pritur gjuajtjen.

PSG vazhdoi me sulme, ku Neymar dhe Mbappe ishin të rrezikshëm me depërtimet e tyre nga krahët.

Kur pritej që ndeshja të mbyllej baras, në skenë foli Mbappe që me një super aksion shënoi për 1:0.

Kjo ishte një fitore e rëndësishme e PSG-së, por që gjithçka mbetet e hapur për ndeshjen kthyese.

Në ndeshjen jtetër, skuadra e Manchester City-t ka arritur me një këmbë që të kualifikohet në çerekfinale, derisa mposhti Sporting Lisbonën në udhëtim me rezultat 0:5.

Të besuarit e Pep Guardiola-s ishin të frikshëm në këtë mbrëmje, të cilët zhbllokuan rezultatin që në minutën e shtatë me golin e shënuar nga Riyad Mahrez.

Nuk vonoi shumë dhe 10 minutë më vonë, Bernardo Silva dyfishoi shifrat me një gol të bukur.

Pjesa e parë pati vend edhe për dy gola të tjerë të anglezëve. Phil Foden realizoi në minutën e 32-të, derisa Silva shënoi golin e dytë personal, pak momente para se të përfundonte pjesa e parë.

Edhe pjesa e dytë, City ishte e rrezikshme me aksione, por nuk shënoi më shumë se një gol.

Silva shënoi në minutën e 50-të, por goli i tij u anulua nga VAR për pozitë jashtë loje.

Por nuk vonoi shumë dhe në minutën e 58-të, Raheem Sterling me një goditje të bukur arriti të shënojë për 5:0.

Në minutat e mbetura City ngadalësoi ritmin, pasi që kishte një rezultat të jashtëzakonshëm nga ndeshja e parë.

Me këtë fitore Manchester City mund të thuhet se ka kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore