Sport

Licensimi, kreu i FSHF-së takohet me drejtuesit e klubeve


Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, ka nisur takimet me drejtuesit e klubeve të futbollit në Shqipëri. Takimi mbahet në kuadër të licensimit të klubeve, një kerkesë edhe e UEFA-s tashmë.

FSHF ka nisur takimet dypalëshe me të gjithë aktorët e futbollit në vend, që duan që klubet e tyre të kenë të drejtën të marrin pjesë në kompeticionet e FSHF-së dhe UEFA-s, për sezonin e ardhshëm.

Presidenti i FSHF-së, Duka, së bashku me përfaqësuesit e Departamentit të Licencimit kanë zhvilluar edhe takimet e para me drejtuesit e klubeve të Teutës dhe Vllaznisë, ku është diskutuar në lidhje me kriteret që duhen përmbushur dhe problematikat me të cilat duhet punuar për të përmbushur të gjitha kushtet.

Gjithashtu, takimet Dukës dhe drejtuesve të Departamentit të Licencimit kanë vijuar më pas edhe me drejtuesit e klubeve të Skënderbeut dhe të Kukësit, ndërkohë që në ditët në vazhdim do të ketë takime me të gjithë përfaqësuesit e klubeve që synojnë të pajisen me licencë.

Klubet aplikante për licencë duhet të paraqesin në Sektorin e Licencimit në FSHF të gjithë dokumentacionin e kërkuar për të përmbushur pesë kriteret që kërkohen për të përmbyllur me sukses këtë proces.

Kriteret që duhet të plotësohen janë kriterin sportiv, ai i infrastrukturës, kriteri i administratës dhe personelit, kriteri ligjor dhe kriterin financiar, i cili është edhe kriteri me i rëndësishëm në raport me kriteret e tjera.

Procesi i licencimit të klubeve është një nga elementet kryesore për të qenë pjesë e kampionateve elitare, jo vetëm në Shqipëri por kudo ku luhet futboll në botë. Ky proces do të përmbyllet më 31 mars 2022, sipas afateve të vendosura nga FSHF dhe UEFA.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore