Lajme

“Le ta përshpejtojmë, le ta bëjmë atë”, Scholz për marrëveshjen Kosovë-Serbi


Olaf Scholz dhe Ursula von der Leyen

“Procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet”.

Kështu ka deklaruar kancelari gjerman, Olaf Scholz, gjatë fjalimit të tij në kuadër të Procesit të Berlinit, i cili të enjten ka bërë bashkë liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Scholz përveç se ka kërkuar përshpejtim të dialogut Kosovë-Serbi, shefi i qeverisë gjermane ka apeluar që bisedimet të prodhojnë rezultate konkrete.

“Koha është të tejkalojmë konfliktet rajonale, që ju mbajnë të përçarë gjatë. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, posaçërisht që të prodhojë rezultate. Qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund të llogarisin te Gjermania e të llogarisin në Procesin e Berlinit”, ka thënë Scholz.

Sipas tij me tri marrëveshjet që do të nënshkruhen sot në kuadër të Procesit të Berlinit do të bëhen tri hapa të mëdhenj që lehtësojnë jetët e qytetarëve të gjashtë këtyre shteteve.

“Tregu i përbashkët rajonal do të nxisë ekonominë dhe investimet në rajonin tuaj, marrëveshjet do t’i mundësojnë qytetarëve tuaj që të kalojnë kufijtë vetëm me letërnjoftime dhe do të sigurohemi që studentët nga Sarajeva të plotësojnë studimet e tyre në Beograd, apo arkitektët nga Tirana të marrin një vend pune në Shkup. Kjo ju përafron me standardet evropiane”, ka shtuar ai.

Albin Kurti dhe Olaf Scholz në Berlin, 3 nëntor 2022

Scholz më tej theksoi se këto shtete duhet të kenë besim te Procesi i Berlinit.

Kjo, pasi sipas tij, procesi do të nxisë integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Së bashku ne mbrojmë vlerat evropiane”, u shpreh kancelari.

Sipas tij, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin demokracisë së lirë dhe të pavarur evropiane.

“Anëtarësimi juaj është në interesin tonë. Premtimi për një të ardhme evropiane, është detyra jonë për ta kthyer në realitet. Kjo është ajo që na mbledh këtu të gjithë bashkë. Jam i kënaqur të shoh se ky vizion është i ngjashëm për të gjithë ne”.

Kancelari gjerman shprehu bindjen se Procesi i Berlinit do të ndikojë në lëshimin e potencialit të madh bashkëpunues.

Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore që qeveria gjermane, nën kancelaren Angela Merkel, inicioi në vitin 2014 kur u mbajt në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i këtij rajoni në BE.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.

Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike.

Procesi i Berlinit, jo më vetëm një sesion për fotografime

Procesi (franko-gjerman) i Berlinit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore