Lajme

Procesi i Berlinit, jo më vetëm një sesion për fotografime


Ilustrim: Emmanuel Macron, Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Kanë kaluar më shumë se 2 vjet prej kur samiti i fundit i Procesit të Berlinit bëri bashkë shtetet e Ballkanit Perëndimor me ato të Bashkimit Evropian, të cilët zakonisht, mblidheshin një herë në vit, për të diskutuar të ardhmen e rajonit në Union.

Megjithatë kritika më e madhe për Procesin e Berlinit gravitonte në atë se iniciativa në fjalë në fakt nuk prodhonte asgjë të prekshme për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ishte një platformë ku liderët participonin vetëm sa për një fotografi.

Por, ky perceptim mund edhe të ndryshojë në takimin e këtij viti në Berlin, kjo pasi që udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë tri marrëveshje, atë për njohjen reciproke të kartave të identitetit, diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Lajmin për nënshkrimin e tre këtyre marrëveshjeve, të cilat synojnë ta lehtësojnë jetën e qytetarëve të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe rrjedhimisht ta afrojnë rajonin me BE-në, e kishte kumtuar ministrja e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock në një konferencë për media duke cilësuar këto ujdi si historike, jo vetëm për gadishullin ballkanik.

Në kushte normale këto marrëveshje nuk do të duhej të cilësoheshin si një arritje sensacionale, por nëse merret parasysh se ndër vendet nënshkruese janë edhe Kosova dhe Serbia, atëherë epiteti historik me të cilën shefja e diplomacisë gjermane i përshkruan këto marrëveshje ka një kuptim në vetvete.

Shto kësaj edhe faktin se me marrëveshjen për lëvizjen e lirë të njerëzve muri i fundit i regjimit të vizave në Ballkanin Perëndimor do të shembet, kjo pasi që qytetarët nga Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nuk do të kenë më nevojë për viza për të vizituar njëri-tjetrin.

Marrëveshjet, mbi të gjitha, mund të kontribuojnë shumë edhe në arritjen e një prej qëllimeve kryesore të Procesit të Berlinit, që është formimi i një Tregu të Përbashkët Rajonal me qëllim të lidhjes së Ballkanit Perëndimor me tregun evropian.

Për ish-konsullin e Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj, tregu i përbashkët rajonal përpos që do të shërbente në rritjen e bashkëpunimit tregtar në mes të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor do t’i përafronte edhe më shumë politikisht vendet e rajonit.

“Janë ekonomistët ata që do të duhet të bënin analiza për përfitimet apo humbjet që në rastin tonë, Kosova mund të ketë nga bashkëpunimi i tillë dhe të dalin me një analizë. Por, shikuar politikisht shteti i Kosovës mund të faktorizohet vetëm me promovimin e bashkëpunimit dhe paqes”, ka thënë Canaj për Albanian Post.

Në anën tjetër për ligjëruesin në Universitetin “College London”, Andi Hoxhaj, ngritja dhe funksionimi i Tregut të Përbashkët Rajonal do të përafrojë shtetet e Ballkanit Perëndimor me Tregun e Përbashkët të BE-së si dhe do të kontribuojë në zhdukjen e monopoleve të fuqishme të cilët operojnë në rajon.

Megjithatë statusi i pazgjidhur mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga gurët që pengojnë përparimin e Tregut të Përbashkët Rajonal, ashtu siç ka ndodhur me të gjitha marrëveshjet e arritura, përveç asaj të Roamingut në kuadër të Procesit të Berlinit, përshirë edhe katër marrëveshjet e mobilitetit të arritura në samitin hibrid të Sofjes, në nëntor 2020, të cilat mbeten të bllokuara për shkak të mosmarrëveshjeve mes Prishtinës dhe Beogradi.

Për këtë arsye mes shumë temave që do të diskutohen në kuadër të Procesit të Berlinit, çështja e dialogut Kosovë-Serbi do të jetë gjithashtu në fokusin e takimit të 3 nëntorit në Berlin.

Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

Në shërbim të kësaj Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, pritet të takohet me presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, për të dhënë kështu qëndrimin zyrtar të Qeverisë së Kosovës për kornizën e re të dialogut apo siç po quhet ndryshe propozimin franko-gjerman, të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator.

2016: Procesi i Berlinit, Samiti ne Paris.

Procesi i Berlinit është një format i takimeve vjetore që qeveria gjermane, nën kancelaren Angela Merkel, inicioi në vitin 2014 kur u mbajt në Berlin Konferenca për Ballkanin Perëndimor.

Nga atëherë, në kuadër të këtij procesi, u mbajtën samite në Vjenë (2015), Paris (2016), Trieste (2017), Londër (2018) dhe Poznan (2019).

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimi i këtij rajoni në BE.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Si pjesë e Procesit të Berlinit, çdo vit organizohen një sërë takimesh vijuese të përfaqësuesve të politikës, biznesit dhe shoqërisë civile.

Këtë vit takimi i ministrave të punëve të brendshme u mbajt më 20 tetor, ndërsa i punëve të jashtme të vendeve pjesëmarrëse më 21 tetor.

Samiti i radhës i Procesit të Berlinit do të mbahet më 3 nëntor në Berlin, për herë të parë nën udhëheqjen e kancelarit të ri gjerman, Olaf Scholz.

Ai dhe liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor pritet të diskutojnë për tregun e përbashkët rajonal dhe operacionalizimin e tij, por jo vetëm.

Një nga synimet kryesore të Procesit Ballkanik, i cili pritet të diskutohet gjatë këtij takimi në mes të shteteve do të jetë edhe përmirësimi i furnizimit të rajonit me energji elektrike, veçanërisht në kushtet e krizës së fundit energjetike.

Formula e Re: Procesi i Berlinit e Open Balkan si dy nisma paralele për një qëllim final – pajtim, integrim, njohje

Procesi (franko-gjerman) i Berlinit

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore