Lajme

Procesi (franko-gjerman) i Berlinit


Ilustrim: Olaf Scholz dhe Albin Kurti

Substanca që do të prodhojë Samiti i radhës i Procesit të Berlinit nuk do të jetë aq e prekshme sa janë pritshmëritë e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilët të enjten e 3 nëntorit, do të jenë nikoqirë të kancelarit gjerman Olaf Scholz në Berlin.

Kështu të paktën mendojnë njohësit e integrimeve evropiane të cilët për Albanian Post, kanë theksuar faktin se riaktivizimi i Procesit i Berlinit ka qenë një domosdoshmëri për kancelarin e ri gjerman, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë, agresion i cili ka ndryshuar arkitekturën gjeopolitike botërore.

Për ligjëruesin në Universitetin “College London”, Andi Hoxhaj, Gjermania në vitet e fundit ka pësuar një regres në politikën e saj të jashtme.

Dhe mu për këtë arsye, shpjegon Hoxhaj, Gjermania përmes riaktivizimit të Procesit të Berlinit synon ta pasqyrojë vizionin e saj të ri dhe shumë më të qartë si për Bashkimin Evropian ashtu edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Për Ballkanin Perëndimor ngritja dhe funksionimi i tregut të përbashkët rajonal është promovuar si një iniciativë që do të sjellë këto shtete më pranë BE-së dhe që do të thyej monopolet që janë shumë të fuqishme në rajon”, ka thënë Hoxhaj për Albanian Post.

Përpos se Procesi i Berlinit do të shërbejë për këndelljen e Gjermanisë në raport me politikën e saj të jashtme, Hoxhaj mendon se kjo iniciativë do të shtyjë përpara edhe çështjen e Kosovës dhe Serbisë, sidomos pas angazhimit të Francës dhe Gjermanisë në këtë çështje.

“Procesi i Berlinit në thelb është një platformë ku Kosova trajtohet në kushte të barabarta në raport me Serbinë. Përgjatë samitit besoj se do të shqyrtohet rrugëtimi i deritanishëm i dialogut, si dhe do të diskutohet më në detaje propozimi franko-gjerman, i cili lejon integrimin e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Me faktin se Procesi i Berlinit si një iniciativë në vetvete do të ketë implikime në Ballkanin Perëndimor pajtohet edhe ish-konsulli i Kosovës në Gjermani, Blerim Canaj.

“Ministrja e Jashtme Gjermane riaktivizimin e Procesit të Berlinit e quajti një kthesë. Kjo për shkak të tri marrëveshjeve të nënshkruara atje. Natyrisht që marrëveshjet e nënshkruara kanë një rëndësi të veçantë dhe kjo flet për përpjekjet gjermane si një faktor i rëndësishëm jo vetëm evropian, për realizimin e përpjekjes së saj për të pasur rol kyç edhe në stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Canaj për Albanian Post.

Edhe pse çështja e dialogut Kosovë-Serbi trajtohet si një temë e veçantë, për diplomatin kosovar, diskutimi për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve mund të jetë pjesë e bisedimeve në kuadër të procesit të Berlinit, sidomos pas dinamizmit të negociatave së fundmi me propozimin franko-gjerman.

“Me vet faktin që po flitet për idetë franko-gjermane të marrëveshjes, mendoj që edhe gjatë këtij procesi, së paku në ‘takime private’ e që në fakt nuk janë private do të hapen edhe tema që kanë të bëjnë me dialogun. Mendoj që në këtë rast diplomacia e Kosovës duhet të jetë tejet aktive dhe të ketë një ndjesi të thuktë analize”, ka shtuar ai.

Se Procesi i Berlinit do ta trasojë rrugën përpara në çështjen e dialogut Kosovë-Serbi e thotë edhe ish-ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj.

“Të enjten që vjen, më 3 Nëntor, në kuadër të Procesit të Berlinit do të formalizohen 3 marrëveshje të rëndësishme për qytetarët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor. Të enjten që vjen në Berlin po ashtu prapa kuliseve, në tavolinat e udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë do hidhen zaret. Numërimi i orëve dhe ditëve do të jenë më ndryshe prej pas vendimit të djeshëm të Kryeministrit Kurti”, kishte shkruar ai në rrjetin e tij social në Facebook, një ditë pasi Qeveria e Kosovës kishte shkallëzuar vendimin për targat në tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj tabela provuese.

Ilustrim: Andi Hoxhaj, Blerim Canaj dhe Beqë Cufaj

Ndryshe Albin Kurti, kryeministri i Kosovës, në kuadër të Procesit të Berlinit, pritet të takohet me kancelarin gjerman, Olaf Scholz dhe presidentin francez, Emmanuel Macron, për të diskutuar më në detaje propozimin franko-gjerman dhe për të dhënë qëndrimin zyrtar të palës kosovare për kornizën e re të dialogut të cilën Albanian Post e kishte publikuar më 18 shtator.

Kurti, përveç se do të diskutojë për propozimin franko-gjerman, do të marrë pjesë edhe në nënshkrimin e disa marrëveshje në mes të shteteve të Ballkanit Perëndimor, si për lëvizjen e lirë të njerëzve ashtu edhe për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe kualifikimeve profesionale.

Procesi i Berlinit u iniciua në vitin 2014 nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, si vazhdimësi e Konferencave të mëparshme për Ballkanin Perëndimor.

Qëllimi i procesit është përshpejtimi i bashkëpunimit mes gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së si dhe integrimi i këtij rajoni në Union.

Nisma fokusohet kryesisht në zgjidhjen e problemeve dypalëshe dhe të brendshme në rajon dhe përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, i cili do të ishte bazë për zhvillimin e qëndrueshëm të rajonit.

Këtë javë Kurti takohet me Macron dhe Scholz, u tregon qëndrimin e Kosovës për propozimin franko-gjerman

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore