Lajme

Le Pen pranon humbjen, thotë se do të luftojë politikat e Macronit


Humbësja e zgjedhjeve presidenciale në Francë, Marine Le Pen, e cila garon nën siglën e të djathtës ekstreme, e ka pranuar fitoren e kundërshtarit të saj, Emmanuel Macron, por ka bërë të qarta se në pesë vitet e ardhshme, ajo dhe mbështetësit e saj do t’i luftojnë politikat e Presidentit, të cilat nuk i duken të drejta.

Nga qendra ku ishin mbledhur mbështetësit e saj, Le Pen ka nisur fjalimin e saj, duke thënë se “njerëzit e Francës vendosën sot”.

Megjithatë, humbjen e saj, ajo e quan një fitore, për shkak të mbështetjes që mori.

Fronti i të djathtës ekstreme nuk ka arritur asnjëherë më parë të rrokë kaq shumë vota në një raund të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Francë.

“Ne kemi qenë fitues pavarësisht rezultatit. Miliona patriotë tanë kanë zgjedhur partinë tonë. Dua t’ju tregoj mirënjohjen time për mbështetjen. Mirënjohje e madhe shkon për të gjithë ata që më dhanë shansin për të garuar në raundin e dytë”, tha ajo përpara mbështetësve.

Mbi garën e zhvilluar, Le Pen nuk ka asnjë pishman se si gjërat u bënë.

Por, një paralajmërim e pati për gjithë liderët evropianë. Ata sipas saj, duhet tashmë të përballen me besimin e popullit.

“Ne mund të qëndrojmë si një forcë balancuese që e kundërshton Macronin dhe politikën e tij”, vijoi ajo. “Do të luftojmë disa reforma që mendojmë se nuk janë të mira”.

Mbi misionin e radhës, ajo shkurtimisht lajmëroi se do të kërkojnë sa më shumë ulëse të mundshme për pushtetin qendror.

Ndërsa, pesë-vjeçarin e ardhshëm të Macron, e mendon akoma më përçarës se sa i pari, sipas pretendimeve të saj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore