Sport

Lampard afër rikthimit në Premier League, në bisedime me Norwich City-n


Frank Lampard është afër rikthimit në Premier League si trajner.

Sipas mediave britanike, ai është në bisedime me skuadrën e Norwich City-t, për të qenë zëvendësues i Daniel Farke-s.

Trajneri gjerman u shkarkua nga klubi pas rezultateve shumë të dobëta në këtë fillim sezoni.

Skuadra e Milot Rashicës, edhe pse shumë e vështirë, kërkon që ta evitojë rënien nga kategoria këtë sezon.

Për këtë arsye, Norwich po kërkon një trajner që e ka të njohur ambientin e Premier League-s, dhe është i gatshëm ta marrë përsipër këtë sfidë.

Lampard shihet si emri i duhur për ta udhëhequr skuadrën drejt mbijetesës, dhe Norwich shpreson që emërimi i tij të mbyllet shpejt.

Kanarinat mendojnë që për Frank, të ofrohet një kontratë deri në vitin 2023, me mundësi rinovimi bazuar mbi rezultatet që ai arrin.

Norwich do ishte klubi i tretë anglez që Lampard e udhëheq në karrierën e tij të sapofilluar si trajner, pas Derby County-t dhe Chelsea-s.

Lampard do të rikthehej në Premier League pas afro një vit e gjysmë që nga koha e shkarkimit nga “Stamford Bridge”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore