Lajme

Lajçak: S’ka pasur befasi, as marrëveshje të caktuar për çështjen e arkivave


Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Emisari i posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, ka deklaruar se është i befasuar pse në Kosovë ka bërë bujë deklarimi i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi se Kosova e Serbia janë dakorduar për hapjen e arkivave shtetërore, edhe për ato që lidhen me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Pas takimit të dytë me kryeministrin Kurti, Lajçaku ka thënë se për këtë çështje s’ka pasur asnjëherë pengesa nga “asnjëra palë”.

Sipas tij, Kosova ka bërë të ditur se s’ka arkiva të UÇK-së, por ka vetëm arkiva shtetërore.

“S’ka pasur diskutim të caktuar për arkivat. Jam i befasuar se sa e nxehtë si temë është bërë kjo në shoqërinë dhe mediat tuaja. Ajo që është thënë ka qenë vetëm rikonfirmim i asaj që është thënë disa herë në të kaluarën se s’ka pengesa nga asnjëra palë që t’u qasemi arkivave”.

Ndërsa shtoi se, “kjo është thënë edhe vitin e kaluar dhe është ricekur disa herë. Zotri Bislimi ka thënë se s’ka arkiva të UÇK-së, por vetëm shtetërore. S’ka pasur befasi, as marrëveshje të caktuar, por disi u keqinterpretua në shoqërinë tuaj”, ka thënë ai në një deklaratë për mediat”.

Lajçaku ka refuzuar të komentojë edhe deklarimet e Kurtit për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, ndërsa ka thënë se “e rëndësishme është që procesi i dialogut po vazhdon”.

 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësuesi special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Ndryshe më 7 shtator, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte takuar në Bruksel me Drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut me Serbinë.

Sipas Bislimit, është gjetur pajtim nga të dy palët që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë edhe të Kosovës.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interesin tonë, sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, kishte deklaruar Bislimi.

Besnik Bislimi – Zëvendeskryeministër i Kosovës dhe Mirosllav Lajçak – Emisar i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi.

Lajçaku tha se pas Kosovës do të vizitojë Serbinë dhe aty do t’i diskutojë datat e mundshme për takimet e ardhshme, pasi për të njëjtat ka folur në Kosovë.

Në këtë takim bëhet e ditur se do të diskutohet për situatën aktuale në lidhje me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut dhe përparimin në negociatat mbi një marrëveshje në normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Përmes tij synohet arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore