Lajme

Bislimi: Me Serbinë jemi pajtuar të hapim arkivat shtetërore


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, pas takimit dy-ditor që pati me Drejtorin e të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviç, në kuadër të dialogut me Serbinë, ka thënë se është gjetur pajtim nga të dy palët që të hapen arkivat shtetërore të Serbisë edhe të Kosovës.

“Gjatë takimit trilateral, pala serbe ka deklaruar se janë dakord që të hapen të gjitha arkivat. Sipas tyre nënkupton edhe arkivat shtetërore të Kosovës që kanë të bëjnë me UÇK-në. Unë mendoj që kjo është në interesin tonë, sepse shumica e varrezave masive ku pretendohet se janë pjesët e mbetura të mbi 1600 qytetarëve ndodhen në këto varreza, për të cilat kanë informata kryesisht arkivat ushtarake të Serbisë”, ka deklaruar Bislimi në një konferencë për media.

Skadimi dhe rrjedhimisht ndërpreja e marrëveshjes për targat, ka thënë Bislimi, nga ana e Bashkimit Evropian është konsideruar si shkelje e palës kosovare, pasi këto marrëveshje janë bërë në të kaluarën.

“Në fillim të shtatorit 2020, Qeveria e Kosovës ka ndërprerë nxjerrjen e targave KS. Ideja ka qenë që palët të gjejnë një zgjidhje kalimtare pas 15 shtatorit. Pala evropiane këtë e ka interpretuar si shkelje të njëanshme të Kosovës”.

“Unë kam argumentuar se kjo nuk përbën shkelje, sepse targat në Kosovë nxjerren për një vit dhe marrëveshja ka qenë me skadencë me datën 15 shtator, rrjedhimisht do të ishte ilegale që të nxjerren tabela me KS, sepse të njëjtat nuk do të kishin validitetin e plotë njëvjeçar, prandaj ne nuk e shohim këtë si shkelje të marrëveshjes”, ka deklaruar zëvendës kryeministri Bislimi.

Ndërsa Bislimi ka folur edhe rreth ndalesës për hyrje në Kosovë, që i është bërë Petar Petkoviçit pasi që ai “ka përdorur gjuhë provokative dhe ka marrë pjesë në inaugurimin e një objekti ilegal”, dhe se ai vizitat e tij i ka përdorur “për të përforcuar dhe mbështetur strukturat paralele dhe ilegale”.

Kjo bën që atij të mos i lejohet më vizita në Kosovë deri sa nuk ndodhin përmirësime në terren, pohon Bislimi.

Ndërsa për moratoriumin 1 vjeçar të nënshkruar në Uashington, Bislimi ka thënë se “i ka skaduar mandati me 4 shtator” dhe se ai ka qenë moratorium për mos-anëtarsim në organizata ndërkombtare dhe jo për mos-kërkim të njohjeve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore