Lajme

IPK-ja kërkon suspendimin e një togeri policor, dyshohet për keqpërdorim të pozitës


Ilustrim.

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), i ka rekomanduar policisë suspendimin e një togeri policor, kjo pasi i njëjti dyshohet për manipulimin e orëve shtesë të punës.

IPK-ja përmes një komunikate për media ka thënë se së bashku me prokurorinë do të ndërmarrin veprimet e nevojshme.

“Hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Më tej, bëhet e ditur se togeri që dyshohet se manipuloi me orët shtesë të punës ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”.

Më 31 janar, hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kishin filluar një hetim pas publikimit të video-incizimeve në media ” në bazë të të cilave dyshohet se zyrtarë të komunës së Leposaviqit – komunë e banuar me shumicë serbe – në Veri të Kosovës, kishin konsumuar lëndë narkotike brenda objektit të komunës, ku dyshohet të jetë përfshirë edhe një zyrtar policor.

“IPK me autorizim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë tashmë ka intervistuar një zyrtar policor  të Stacionit Policor në Leposaviq me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale ‘posedimi i paautorizuar i narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’”, thuhej në komunikatën për shtyp të lëshuar nga IPK-ja.

Në kuadër te hetimit dhe veprimeve tjera të natyrës administrative, ky institucion i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor të dyshuar në këtë rast.

Në atë kohe ishte thënë se IPK-ja do të vazhdojë të ndërmarrë edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave mbi konsumimin e drogës brenda komunës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore