Lajme

Kuvendi miraton, në lexim të dytë, Buxhetin për vitin 2022


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektbuxhetin për vitin 2022.

Kanë qenë 65 deputetë që kanë votuar për buxhetin për vitin e ardhshëm.

Një deputet ka abstenuar, kurse asnjë nuk ka qenë kundër.

Buxheti i parashikuar për vitin 2022 kap vlerën prej 2 miliardë e 746 milionë euro.

Seanca e këtij kuvendi ka filluar nga ora 10:00 e ditës, ku si fillim deputetëve u është drejtuar Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor ndaj deputetëve ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe se Kosova do vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë proces.

“Për fat të keq, nuk e shohim këtë gatishmëri te Serbia, qëllimet e tyre mbesin të njëjta sado që strategjitë mund tu ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë, as në veprime duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Ajo konsideron se nuk mund të ketë sukses të dialogut nëse nuk ka mësime nga e kaluara.

“Serbia ka qëllim të destabilizojë shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, me logjikën e shekullit të kaluar. Sa i përket dialogut, nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Dialogu nuk është dhe nuk do lejojmë të shndërrohet për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të vendit tonë”.

E para e shtetit u shpreh se Serbia po vepron me ide dhe logjikë të shekullit të kaluar, ide që çojnë në konflikte të reja.

“Idetë e shekullit të kaluar që kanë për qëllim segregimin e jo integrimin, ndarjet etnike e jo multietnicitetin, nuk janë në të mirën e Kosovës dhe as rajonit. Idetë e tilla krijojnë konflikte të reja dhe jofunksionalitet. Më tërë atë që po ndodhë në Bosnjë është e pakuptueshme që ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë do ta krijonin krizën e njëjtë si në Bosnjë”.

Për politikën e Amerikës dhe atë evropiane, presidentja u shpreh se Kosova është projekti më i suksesshëm dhe më i rëndësishëm i tyre.

“Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pas nesh”.

“Kosova është një shtet që e meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë sepse ajo këtë vit e ka dëshmuar që është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme prandaj pata nderin që me krenari ta prezantoj vendin tonë si një shembull dhe një model i një demokracie të suksesshme në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden. Vendi ynë mbetet i palëkundur në orientimin euro-atlantik”.

Presidentja ka folur edhe për angazhimin me shtetet e tjera për interesat e Kosovës duke thënë se Kosova është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane.

“Si presidente jam angazhuar të shtyjë përpara interesat e Kosovës, të bëjë rienergjizimin e aleancave me shtete mike dhe të trasoj rrugën për krijimin e aleancave të reja. Kosova është me fat të mirë të ketë miq anë e mbanë botës. Jemi të lumtur të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane. Prandaj në vizitat e mia përveç mirënjohjes, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e bashkëpunimi bilateral me vendet që kam vizituar”.

Për vonesën disa vjeçare në procesin liberalizimit të bizave “po dëmton jo vetëm qytetarët tanë por kredibilitetin e BE-së”.

E para e shtetit, bëri të ditur edhe gjendjen aktuale me pandeminë COVID-19 në Kosovë dhe me sfidat që u ballafaquan.

Ajo ka thënë se viti që po përmbyllim ishte jashtëzakonisht sfidues ‘sidomos nga pandemia e cila po na përcjell prej dy vjetësh”.

“Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe pasojat që la si tek shëndeti i qytetarëve ashtu edhe tek ekonomia jonë. Pandemia i ka ndryshuar jetët tona mbase përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan që tu dalin në ndihmë qytetarëve për të përballuar pandeminë.

“Tu shpreh respektin e thellë të qytetarëve të Kosovës, sidomos personelit shëndetësor të cilët na e dhanë shembullin se vetmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur”.

Ajo ka potencuar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e Kosovës për menaxhimin e pandemisë.

“Miku dhe aleati i përhershëm i Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të cilit i është mirënjohës për miqësinë e treguar duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë”.

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga 111 deputetë në sallë, me 75 deputetë për, 35 vota kundër dhe vetëm një abstenim uaprovua propozimi për shqyrtim të projektligjit të projektbuxhetit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti lidhur me rëndësinë e Ligjit për Buxhet për vitin 2022, ka thënë se s’ka asnjë qëllim tjetër, përveç atij që të “lexohet” në leximin e dytë.

Ai ka thënë nëse “është e mundshme pse jo”, nga 22 dhjetori më 17 dhjetor, gjë që për këtë i ka kërkuar dhe ka lutur deputetët meqë janë të pranishëm në seancë 111 deputet.

“Meqenëse të gjitha procedurat kanë përfunduar meqenëse është e mundshme me 17 pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që të mos zgjatemi edhe pesë ditë të tjera kur mund të mos zgjatemi”.

“Kjo mund të ishte e papërshtatshme nëse do të mungonit, por pasi të gjithë jeni këtu unë ju ftoj ta mbështesni këtë afrim të datës për Projektligjin për Buxhetin 2022”, ka thënë ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me thuajse një orë vonesë, ndërsa në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2022.

Votimin e ka kundërshtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lista Serbe ka votuar pro propozimit.

Para se të votohej ky ndryshim ka pasur debat mes opozitës dhe Qeverisë, gjë që ka quar deri në shprehjen kundër të votës së tyre.

Kryetari i Komisionit për Buxhet i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja ka rekomanduar deputetëve që të miratojnë projektligjin për buxhetin e vitit 2022, pasi që buxheti i propozuar prej 2.7 miliardë euro është më i larti në historinë e Kosovës.

“E veçanta e këtij projektbuxheti është që mbështetet në të hyrat buxhetore që i kalojnë 2.3 miliardë euro”.

“Këtë vit, ndoshta muajin e kaluar për herë të parë Qeveria e Kosovës i ka mbledhur mbi 2 miliardë euro”, ka thënë ai.

Armend Muja – LVV

Arben Gashi nga LDK-ja ka deklaruar me cinizëm se nuk e kupton pse seanca është e jashtëzakonshme dhe për këtë ka kërkuar nga propozuesi të epen sqarime.

“Ne kur ishim në opozitë kishim kritikuar aprovimin e buxhetit në seancat e jashtëzakonshme, kjo që propozohet sot është jashtë logjike. E kemi seancën më 22, nuk po e shohim urgjencë, cili është impakti dhe rrjedha buxhetore, asgjë, sepse ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari. Pse e vendosni datën 22 kur ju thosha mos e bëni, s’po e kuptoj pse do ta bëni sot më 17”, është shprehur ai.

Arben Gashi – LDK

Partia më e madhe opozitare (PDK) e ka kundërshtuar logjikën me të cilën sillet mazhoranca.

“Ne si PDK do ta kundërshtojmë me votë këtë mocion procedural. Në Kuvend duhet të vije atë ditë kur e keni përcaktuar ju me votë pa mbështetjen e Partisë Demokratike”, ka thënë shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Po ua prishim pak pushimet sepse i keni planifikuar pushimet. Por më i rëndësishëm është buxheti sesa pushimi”, ka deklaruar ai.

Abelard Tahiri – PDK

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke vazhduar duke shqyrtuar pikat e parapara sipas rendit të ditës.

58 deputetë kundër pensionimit të parakohshëm të Policisë së Kosovës

Policia e Kosoves

Me 58 vota kundër, një abstenim dhe 14 kundër, Kuvendi i Kosovës refuzoi amendamentin për pensionimin e parakohshëm të Policisë së Kosovës.

Ish drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Çalaj, tani deputet i PDK-së, i propozoi Kuvendit të Kosovës këtë të premte, amendamentin për pensionimin e parakohshëm të zyrtarëve Policor të Kosovës.

Në arsyetimin e tij, deputeti Çalaj kërkoi mbështetje nga kolegët deputet të kësaj legjislature që zyrtarët Policor të cilët kanë sëmundje kronike dhe janë afër pensionimit, të lirohen nga detyra për t’ua lëshuar vendin gjeneratave të reja në këtë institucion të sigurisë.

Por si për shumë projekte të propozuara nga opozita, edhe për këtë propozim, i cili do të duhej të kalonte përtej ngjyrave politike, nuk morri mbështetjen e shumicë së deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

“Numri i policëve me sëmundje të rënda mbi 500 ose 6% e numrit të përgjithshëm të pjesëtareve të Policisë. Numri i policëve me moshë mbi 60 vjet rreth 700 apo 8,5 %”, ka treguar Çalaj.

“Pra diku 14.5% e stafit të uniformuar është që duhet pensionuar sa më shpejt që është e mundur”.

“Nuk kam ndonjë koment tjetër përveç se mashtrim i kësaj qeverie”, ka thënë Çalaj për Albanian Post.

“Mos votimi do të ndikoj direkt në shtangimin e sigurisë në vend”, ka treguar më tej Çalaj.

“Ka mundësi qe është për shkak të propozimit nga opozita mirëpo mendoj që nuk kanë vullnet që vendi të ecë para dhe të rritet siguria”, ka thënë Çalaj për Albanian Post, duke kujtuar se pensionimi i parakohshëm i Policisë së Kosovës ishte edhe një nga premtimet e elektorale të Vetëvendosjes.

Në seancën ku po bëhet shqyrtimi i dytë i Buxhetit të shtetit për katër vitet e ardhme, 51 deputetë, kryesisht të pozitës, votuan kundër pensionimit të parakohshëm të zyrtarëve policor të cilët nuk janë më të aftë të japin maksimumin në kryerjen e detyrave policore.

Nuk miratohet amendamenti për shtimin e buxhetit për arsimimin e fëmijëve me nevoja të veçanta

Kuvendi i Republike e Kosoves

Seanca e fundit e Kuvendit të Kosovës, e cila ka nisur në ora 10:00 po vazhdon akoma, edhe në orët e vona të së premtes.

Në këtë seancë po shqyrtohet në lexim të dytë buxheti i Republikë ë Kosovës, për katër vitet e ardhme.

Deputetë të opozitës dhe pozitës kanë debatuar për amendamentin për shtimin e buxhetit për kategorinë e arsimit me nevoja të veçanta.

Por, me 17 vota për, asnjë kundër dhe 61 abstenime, amendamenti i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës nuk ka marrë përkrahjen e shumicës së deputetëve.

Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha ka propozuar që të shtohet buxheti për kategorinë e arsimit me nevoja të veçanta, dhe në këtë mënyrë të rritet numri i asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Arsimi për fëmijët me nevoja të veçanta të shtohet buxheti prej 2.5 milionë euro në kategorinë paga dhe shtesa dhe shuma e përgjithshme të jetë 3 milionë e 821 mijë euro. Kështu si arsyetim në mungesë të asistentëve prekë detyrimisht nënat e këtyre fëmijëve dhe i privon nga angazhimi i tyre në sferën publike, duke qenë duhet të kujdesen për këta fëmijë”.

“Aktualisht janë 100 asistentë të angazhuar në sistemin para-universitar për 3 mijë e 939 fëmijë me nevoja të veçanta nga klasa e parë deri në klasën e 12. Propozimi për 500 asistentë në institucionet para-universitar, është se numri që një asistent që duhet të punoj me 12 fëmijë, të ulët që të paktën një asistent të punojë me 6 apo 7 fëmijë”, theksoi Hoxha.

Por ky amendament nuk ka marrë përkrahjen e pozitës. Për këtë, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se do të abstenojë.

“Unë kam qenë fëmijë që kam pasur asistencë, gjatë kohës kur kam qenë unë në shkollë për dy arsyeje. E kuptoj shumë mirë çfarë do të thotë ta kesh asistencën e nevojshme”.

“Ka qenë për asistencë për mungesë të gjuhës por edhe për aftësi të kufizuar. Për shkak se kam pasur të pamundshme përdorimin e dorës së majtë. Dhe kjo ka zgjatur me vite të tëra”.

“Por, unë sot do të abstenojë në këtë amendamentin, për shkak se e respektoj faktin që kemi njerëz në qeveri tani që kanë marrë hapat për të cilët është kërkuar shumë kohë më përpara në relacion me nevojat që janë. Po, e kuptoj sa është e nevojshme dhe cilat janë nevojat për përkrahjen e këtyre fëmijëve por edhe të rinjve në fakt”, ka deklaruar ajo.

Bogujevci ka premtuar se do të vazhdojnë të ndërmarrin hapa për asistencë të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Drejtoresha e organizatës “Down Syndrome Kosova”, ka kërkuar që të mbështetet amendamenti i propozuar nga deputetja Eliza Hoxha për punësimin e 500 asistentëve. Sipas saj, 100 asistentë nuk do të përmbushin as 20 për qind të nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuar.

Vehbi Mujku, Drejtor në Qendër për Punë Sociale në Prishtinë

“Shuma financiare e kërkuar për punësimin e asistentëve në shkolla për fëmijët me aftësi të kufizuar, e cila nuk kaloi sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ia humbi një mundësi të madhe këtij vendi ta dëshmojë se e kupton rëndësinë e kujdesit dhe mbrojtjes së interesit më të mirë të fëmijëve me aftësi të kufizuar”, ka shkruar Vehbi Mujku, Drejtor në Qendër për Punë Sociale në Prishtinë, në llogarinë e tij në Facebook.

“Punësimi i asistentëve do tu ndihmonte të gjithë fëmijëve dhe mësimdhënësve në shkollë”, ka shtuar më tej Mujku.

“Në fakt kjo kërkesë është dashur të planifikohet me kohë dhe të mos kërkohet fare në formë amandamenti”.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore