Lajme

Votohet me 75 vota propozimi i shqyrtimit të projektbuxhetit për vitin 2022


Kuvendi i Kosovës

Nga 111 deputetë në sallë, me 75 deputetë për, 35 vota kundër dhe vetëm një abstenim është aprovuar propozimi për shqyrtim të projektligjit të projektbuxhetit.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti lidhur me rëndësinë e Ligjit për Buxhet për vitin 2022, ka thënë se s’ka asnjë qëllim tjetër, përveç atij që të “lexohet” në leximin e dytë.

Ai ka thënë nëse “është e mundshme pse jo”, nga 22 dhjetori më 17 dhjetor, gjë që për këtë i ka kërkuar dhe ka lutur deputetët meqë janë të pranishëm në seancë 111 deputet.

“Meqenëse të gjitha procedurat kanë përfunduar meqenëse është e mundshme me 17 pa e pritur datën 22 dhjetor, kemi menduar që të mos zgjatemi edhe pesë ditë të tjera kur mund të mos zgjatemi”.

“Kjo mund të ishte e papërshtatshme nëse do të mungonit, por pasi të gjithë jeni këtu unë ju ftoj ta mbështesni këtë afrim të datës për Projektligjin për Buxhetin 2022”, ka thënë ai.

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës ka filluar me thuajse një orë vonesë, ndërsa në rend dite është shqyrtimi i dytë i Projektligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës, për vitin 2022.

Votimin e ka kundërshtuar Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ndërsa Lista Serbe ka votuar pro propozimit.

Para se të votohej ky ndryshim ka pasur debat mes opozitës dhe Qeverisë, gjë që ka quar deri në shprehjen kundër të votës së tyre.

Kryetari i Komisionit për Buxhet i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja ka rekomanduar deputetëve që të miratojnë projektligjin për buxhetin e vitit 2022, pasi që buxheti i propozuar prej 2.7 miliardë euro është më i larti në historinë e Kosovës.

“E veçanta e këtij projektbuxheti është që mbështetet në të hyrat buxhetore që i kalojnë 2.3 miliardë euro”.

“Këtë vit, ndoshta muajin e kaluar për herë të parë Qeveria e Kosovës i ka mbledhur mbi 2 miliardë euro”, ka thënë ai.

Armend Muja – LVV

Arben Gashi nga LDK-ja ka deklaruar me cinizëm se nuk e kupton pse seanca është e jashtëzakonshme dhe për këtë ka kërkuar nga propozuesi të epen sqarime.

“Ne kur ishim në opozitë kishim kritikuar aprovimin e buxhetit në seancat e jashtëzakonshme, kjo që propozohet sot është jashtë logjike. E kemi seancën më 22, nuk po e shohim urgjencë, cili është impakti dhe rrjedha buxhetore, asgjë, sepse ky ligj hyn në fuqi nga 1 janari. Pse e vendosni datën 22 kur ju thosha mos e bëni, s’po e kuptoj pse do ta bëni sot më 17”, është shprehur ai.

Arben Gashi – LDK

Partia më e madhe opozitare (PDK) e ka kundërshtuar logjikën me të cilën sillet mazhoranca.

“Ne si PDK do ta kundërshtojmë me votë këtë mocion procedural. Në Kuvend duhet të vije atë ditë kur e keni përcaktuar ju me votë pa mbështetjen e Partisë Demokratike”, ka thënë shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri.

“Po ua prishim pak pushimet sepse i keni planifikuar pushimet. Por më i rëndësishëm është buxheti sesa pushimi”, ka deklaruar ai.

Abelard Tahiri – PDK

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit është duke vazhduar duke shqyrtuar pikat e parapara sipas rendit të ditës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore