Lajme

Dialogu me Serbinë nënkupton stabilitet dhe zhvillim, thotë Osmani


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në fjalimin e saj vjetor ndaj deputetëve ka thënë se dialogun me Serbinë e sheh si mjet të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit dhe se Kosova do vazhdojë të luajë rol konstruktiv në këtë proces.

“Për fat të keq, nuk e shohim këtë gatishmëri te Serbia, qëllimet e tyre mbesin të njëjta sado që strategjitë mund tu ndryshojnë. Serbia ka pretendime të qarta territoriale ndaj Kosovës dhe këtë nuk e fsheh as në retorikë, as në veprime duke shërbyer si trampolinë e interesave ruse në rajon”, ka deklaruar Osmani.

Ajo konsideron se nuk mund të ketë sukses të dialogut nëse nuk ka mësime nga e kaluara.

“Serbia ka qëllim të destabilizojë shtetet e rajonit, përfshirë Kosovën, me logjikën e shekullit të kaluar. Sa i përket dialogut, nuk mund të ketë sukses nëse nuk nxjerrim mësime nga gabimet e së kaluarës. Dialogu nuk është dhe nuk do lejojmë të shndërrohet për statusin, territorin, funksionalitetin e brendshëm e për rendin kushtetues të vendit tonë”.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

E para e shtetit u shpreh se Serbia po vepron me ide dhe logjikë të shekullit të kaluar, ide që çojnë në konflikte të reja.

“Idetë e shekullit të kaluar që kanë për qëllim segregimin e jo integrimin, ndarjet etnike e jo multietnicitetin, nuk janë në të mirën e Kosovës dhe as rajonit. Idetë e tilla krijojnë konflikte të reja dhe jofunksionalitet. Më tërë atë që po ndodhë në Bosnjë është e pakuptueshme që ende ka zëra që shtyjnë përpara ide që në Kosovë do ta krijonin krizën e njëjtë si në Bosnjë”.

Për politikën e Amerikës dhe atë evropiane, presidentja u shpreh se Kosova është projekti më i suksesshëm dhe më i rëndësishëm i tyre.

“Ne jemi të lumtur që mund të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane si dhe i të gjithë atyre që u rreshtuan pas nesh”.

“Kosova është një shtet që e meriton mbështetjen e pakursyer të aleatëve tanë sepse ajo këtë vit e ka dëshmuar që është një demokraci e fortë dhe e qëndrueshme prandaj pata nderin që me krenari ta prezantoj vendin tonë si një shembull dhe një model i një demokracie të suksesshme në kuadër të Samitit për Demokraci të organizuar nga presidenti Biden. Vendi ynë mbetet i palëkundur në orientimin euro-atlantik”.

Presidentja ka folur edhe për angazhimin me shtetet e tjera për interesat e Kosovës duke thënë se Kosova është projekti më i rëndësishëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane.

“Si presidente jam angazhuar të shtyjë përpara interesat e Kosovës, të bëjë rienergjizimin e aleancave me shtete mike dhe të trasoj rrugën për krijimin e aleancave të reja. Kosova është me fat të mirë të ketë miq anë e mbanë botës. Jemi të lumtur të themi se Kosova është projekti më i rëndësishëm dhe më i suksesshëm i politikës së jashtme amerikane dhe evropiane. Prandaj në vizitat e mia përveç mirënjohjes, jam përkushtuar për të ngritur nivelin e bashkëpunimi bilateral me vendet që kam vizituar”.

Për vonesën disa vjeçare në procesin liberalizimit të bizave “po dëmton jo vetëm qytetarët tanë por kredibilitetin e BE-së”.

E para e shtetit, bëri të ditur edhe gjendjen aktuale me pandeminë COVID-19 në Kosovë dhe me sfidat që u ballafaquan.

Ajo ka thënë se viti që po përmbyllim ishte jashtëzakonisht sfidues ‘sidomos nga pandemia e cila po na përcjell prej dy vjetësh”.

“Për shkak të pandemisë COVID-19 dhe pasojat që la si tek shëndeti i qytetarëve ashtu edhe tek ekonomia jonë. Pandemia i ka ndryshuar jetët tona mbase përjetësisht edhe mënyrën tonë të jetesës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo ka falënderuar të gjithë ata që ndihmuan që tu dalin në ndihmë qytetarëve për të përballuar pandeminë.

“Tu shpreh respektin e thellë të qytetarëve të Kosovës, sidomos personelit shëndetësor të cilët na e dhanë shembullin se vetmohimi dhe përkushtimi për të mirën e përbashkët është gjithmonë i mundur”.

Ajo ka potencuar se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me partnerët e Kosovës për menaxhimin e pandemisë.

“Miku dhe aleati i përhershëm i Kosovës, Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, të cilit i është mirënjohës për miqësinë e treguar duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës tonë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore