Lajme

Kushtetuesja për Ministrinë e Arsimit: Kompetencat nuk i përcaktohen vetës, ato vendosen me ligj


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci dhe Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, përmes aktgjykimit të rastit të parashtruar nga Komuna e Kamenicës e cila kishte kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së Udhëzimit Administrativ të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës ka thënë se ky dikaster nuk mund t’i përcaktoj vetës kompetenca.

Përmes një komunikate për media nga kjo gjykatë është thënë se kompetencat janë të përcaktuara me ligj.

“Gjykata theksoi se pushteti qendror dhe në rrethanat e rastit konkret, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, përmes akteve nënligjore nuk mund t’i përcaktojë vetes kompetenca që nuk i janë përcaktuar me ligj të miratuar nga Kuvendi i Republikës, e të cilat kompetenca mund të ndërhyjnë në veprimtarinë e vetëqeverisjes lokale në fushën e arsimit apo të cenojnë përgjegjësitë komunale në këtë fushë”.

Ministria e Arsimit.

Nga ky institucion është sqaruar edhe neni i cili e mundëson vetëqeverisjen lokale.

“Gjykata përfundimisht ritheksoi se, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht nenin 123 të saj, vetëqeverisja lokale është e garantuar dhe e rregulluar me ligj dhe bazuar në nenin 124 të saj, çdo rishikim administrativ i akteve të komunave nga autoritetet qendrore në fushën e kompetencave të tyre, kufizohet në sigurimin e përputhjes me Kushtetutë dhe ligj”, thuhet në komunikatë.

Më 12 prill, ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, përmes një aksioni simbolik te dera e zyrës së ministres Arbërie Nagavci në Ministrinë e Arsimit, kishte kërkuar dorëheqjen e kësaj të fundit, pasi ajo ka shkelur Kushtetutën e Kosovës kur e ka përjashtuar reformën në Arsim të nisur nga vetë Kastrati në Kamenicë, gjersa ai ishte kryetar.

Anëtari i Partisë Socialdemokrate, madje ka përgatitur edhe letrën e dorëheqjes së ministres, duke ia lënë atë te dera e zyrës.

Gjykata Kushtetuese e kishte vlerësuar si të pranueshme kërkesën e Kastratit kundër vendimit të MASHTI-it të 23 prillit për direktivat e organizmit të mësimit në Komunën e Kamenicës.

Një vendim i tillë i ministrisë, nën udhëheqësinë e Nagavcit, e përjashtonte Reformën në Arsim të nisur nga Qëndron Kastrati.

Nagavci shkeli Kushtetutën, por cilat janë implikimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore