Kosova

Nagavci shkeli Kushtetutën, por cilat janë implikimet e vendimit të Gjykatës Kushtetuese?


Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Arbërie Nagavci dhe Gjykata Kushtetuese.

Më 8 prill, Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka dhënë të drejtë reformës në arsim të ish-kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastratit, ndërsa ka identifikuar se Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e drejtuar nga Arbërie Nagavci, i ka tejkaluar kompetencat e ministrisë dhe ka cenuar përgjegjësitë e pushtetit komunal.

Kjo gjykatë e ka vlerësuar si të pranueshme kërkesën e Kastratit, kundër vendimit të MASHT-it të 23 prillit për direktivat e organizimit të mësimit në Komunën e Kamenicës.

Mirëpo, ministrja e këtij dikasteri, Arbërie Nagavci, vetëm pas pesë dite të shpalljes së këtij vendimi doli kundër Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas saj nuk është trajtuar e drejta e fëmijëve për shkollim në Kamenicë.

Avokati Mentor Beqiri, në një bisedë për Albanian Post, sqaron se ministrja është e detyruar që ta pranojë vendimin e gjykatës.

“Ministrja nuk ka të drejtë që të mos e pranojë këtë vendim dhe nuk ka mundësi të njëjtin ta apelojë diku, për shkak se Gjykata Kushtetuese është institucioni i vetëm që interpreton kushtetutshmërinë e verimeve të ndryshme qoftë të personave fizikë apo atyre juridikë”, thotë Beqiri.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci

Gjithashtu, sa i përket vendimit të Gjykatës, ai sqaron se është vendimi i cili nuk mund të kthehet mbrapa.

“Përderisa Gjykata ka marrë vendim meritor për çështjen në fjalë, e njëjta konsiderohet e mbyllur nga Gjykata dhe ka vlerën e dispozitës kushtetuese”.

Në anën tjetër, njohësi i fushës së arsimit, Rinor Qehaja, në një prononcim për Albanian Post tregon qëndrimin e tij sa i përket vendimit të kësaj gjykate.

“Vendimi i gjykatës kushtetuese nuk ka ndonjë implikim praktik më në rastin e Kamenicës, por mund të shërbejë si udhërrëfyes për situata të ngjashme në të ardhmen, sikurse që shpresoj që vet këmbëngulja e komunitetit lokal karshi reformës do të shërbejë për reflektim për udhëheqësit komunalë në të ardhmen po ashtu”, pohon Qehaja.

Mirëpo, shton se nga e gjithë kjo situatë e krijuar janë nxënësit ata që po pësojnë.

“Nuk besoj që ndonjë ministër do të mund të rrinte duarkryq karshi një situate ku qindra nxënës vazhdojnë të jenë jashtë procesit mësimor – ajo çfarë është për keqardhje në tërë këtë situatë janë vitet e humbura të këtyre nxënësve. Ristrukturimi i shkollave është i nevojshëm të iniciohet si reformë në nivel vendi në bashkërendim me komunitetin dhe në interes të nxënësve”.

Ish-kryetar i Komunës së Kamenicës, anëtarë i PSD-së, Qëndron Kastrati.

Ish-kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka thënë se shkelja kushtetuese e ministres së Arsimit Arbërie Nagavcit, devijoi edhe vullnetin qytetar në zgjedhje dhe sipas tij, “ky është precedent i rrezikshëm”.

Prandaj ai ka konsideruar se “dorëheqja e ministres Nagavci është e domosdoshme për kulturën politike që duhet ta ndërtojmë”.

“Dorëheqja e Nagavcit është e domosdoshme që askush të mos cenojë demokracinë e vendit tonë”, ka shkuar Kastrati në Facebook.

“Që në fillim ishim të vetëdijshëm që do të ketë rezistencë ndaj reformës për një kohë, por ishim të bindur që sapo të fillon së zbatuari, prindërit dhe nxënësit do të ndaheshin të kënaqur. Kjo u vërtetua në 14 fshatra ku u respektua reforma. Nga këto shkolla secilin nxënës mund ta pyesni lirisht nëse do të kthehej në klasën ku ka qenë. Përgjigjja është jo e prerë”.

Ai ka theksuar se ajo që na pengoi prej fillimit ishte ndërhyrja politike, “edhe pse paraprakisht isha konsultuar me të gjitha subjektet politike prej të cilave morra edhe mbështetje”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore