Lajme

Kusari: LVV me sulm brutal kundër KPM-së, jam e shqetësuar për sigurinë fizike të anëtarëve


Flutura Kusari

Juristja e mediave, Flutura Kusari, ndërsa ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje anëtarë të Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, në raport me qasjen ndaj anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Media, ka thënë se kjo sjellje e tyre është njëjtë si të kërkohet llogari nga gjyqtarët për vendimet e tyre, ndërsa është shprehur e shqetësuar për sigurinë fizike të anëtarëve të bordit të KPM-së.

“Është sulm brutal i pavarësisë së një institucioni që sipas Kushtetutës është i pavarur”, ka shkruar ajo në platformën sociale, Facebook.

Ajo ndër të tjera është shprehur e tronditur me “përkeqësimin kaq të shpejtë të lirisë së medias në Kosovës”.

“Por, shqetësimi im kryesor ka të bëjë me sigurinë fizike të anëtarëve te KPM-se. Gjuha e përdorur nga ana e deputetëve javën e kaluar dhe sot (ndonëse sot gjuhë me e zbutur) është nxitje e dhunës ndaj anëtareve. Shpresoj që të mos iu ndodhe asgjë”, ka potencuar Kusari.

Për të dytën herë me radhë anëtarët e Komisionit Parlamentar për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar shkarkimin e Bordit të KPM-së me arsyetimin se të njëjtit “nuk kanë më kredibilitet të vazhdojnë të udhëheqin KPM-në”.

“Shkarkim dhe vetëm shkarkim”, ka thënë deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku, ndërsa ka pyetur disa herë se pse është ndryshuar vendimi për kanalet “Arena Sport”.

Vitin e kaluar në kanalet sportive serbe “Arena Sport” ishin shfaqur mesazhe kërcënuese për Kosovën ku ishin glorifikuar terroristët e vrarë në Banjë nga ana e Policisë së Kosovës.

Për këtë arsye KPM kishte vendosur për ndalimin transmetimit të këtyre kanaleve në Kosovë.

Në anën tjetër kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, ka thënë se ka pasur kërkesa nga qytetarët që të lejohen programet sportive serbe “Arena Sport” për transmetim.

Mehmeti ka theksuar se janë garantuar nga rrjeti televiziv serb se më nuk do të shfaqen përmbajtje kërcënuese për Republikën e Kosovës.

“Ndëshkimi i mediave online” – çfarë po provon të bëjë qeveria me projektligjin e ri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore