Kosova

“Ndëshkimi i mediave online” – çfarë po provon të bëjë qeveria me projektligjin e ri


Ilustrim

Me Projektligjin e ri për Komisionin e Pavarur për Media, Qeveria e Kosovës, në mënyrë indirekte përmes KPM-së do t’i kontrollojë, t’i monitorojë dhe në rast nevoje edhe t’i ndëshkojë mediat online që ofrojnë përmbajtje të videove.

Në Kosovë KPM deri më tani ka rregulluar televizionet, radiot dhe operatorët kabllor ndërkaq mediat e shkruara/online janë vetë-rregulluar nëpërmjet Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës – një praktik e përhapur gjithandej në rajon e Evropë.

Por, një gjë e tillë do të ndryshojë në momentin që iniciativa ligjore e hartuar nga ekzekutivi kosovar të hyjë në fuqi në Kuvend me votën e deputetëve.

Ngase mediat online, do t’i nënshtrohen licencimit shtetëror e paraparë në nenin 24 të Projektligjit për Komisionin e Pavarur për Media.

Një ndryshim i tillë u cilësua si “radikale” nga ana e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, i cili kërkoi që Qeveria të heqë dorë nga ky projektligj, ngase sipas AGK-së, ky projektligj është “tentativë” për kontroll shtetëror të mediave online.

Me projektligjin në fjalë mediat online përveç licencimit shtetëror do të detyrohen edhe të regjistrohen në regjistrin e mediave online, i cili do të menaxhohet nga KPM-ja.

Mediat online, sipas kësaj iniciative ligjore, do të mund edhe të gjobiten deri në 40 mijë euro, gjobë kjo që sipas AGK-së mund të arrijë të mbyllë secilin medium online që operon në Kosovë.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj të 180-të arsyetoi ndryshimet në Ligjin për KPM-në në emër të përafrimit të legjislacionit vendor me atë evropian, gjegjësit me direktivat e Shërbimit të Medias Audiovizuele të BE-së e njohur ndryshe si AVMS.

Por, ky arsyetim është në kundërshtim me standardet e Këshillit të Evropës –  ku Kosova aspiron të anëtarësohet – dhe Organizatës së Sigurisë së Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) meqë nuk merret fare parasysh konteksti lokal dhe injorohet trupi vetë-rregullativ ekzistues në Kosovë.

Këshilli i Evropës dhe Komisioni i Venecias në Shqipëri kishin kundërshtuar fuqishëm propozimet e njëjta ligjore që ishin bërë nga qeveria shqiptare atje.

Madje OSBE kishte apeluar që regjistrimi i mediave online assesi të mos jetë procedurë e detyrueshme.

Përveç kësaj, direktivat e AVMS-së në këtë projektligji janë keqinterpretuar ngase udhëzuesi nuk parasheh askund që mediat online duhet të licencohen nga organi rregullator i mediave.

Direktiva e AVMS- në nenin 4A inkurajon shtetet që të përdorin sistemin e vetë-rregullimit.

Direktiva e BE-së në asnjë formë nuk parasheh që shteti t’i vë mediat online nën kontroll nëpërmjet procesit të licencimit të detyrueshëm.

Për këtë arsye, Finlanda gjatë adaptimit të legjislacionit evropian për mediat kishte marrë për bazë kontekstin lokal dhe kishte vendosur që mediat online të vetë-rregullohen nëpërmjet trupit vetërregullativ finlandez për media, e jo t’i nënshtrohen licencimit shtetëror.

Qeveria e Kosovës përmes këtij projektligji përveç se po tenton t’i disiplinoj mediat po provon ta zgjerojë edhe më shumë kontrollin edhe te vetë institucioni i KPM-së.

Një gjë e tillë do të mundësohet me rritjen e numrit të anëtarëve në 11, nga shtatë sa është aktualisht.

Prandaj rritja e numrit të anëtarëve në 11 nga AGK-ja është cilësuar si e “paarsyeshme” dhe e cila “bazohet vetëm në dëshirën e partisë në pushtet që ky institucion të mbushet më mbështetës të saj”.

Kjo, sipas AGK-së konfirmohet edhe me propozimin që secili anëtar të ketë mundësinë që të garojë për dy mandate.

AGK në një konferencë të jashtëzakonshme për media shprehu indinjatën me nivelin e lartë të mostrasnparencës gjatë procesit të hartimit të projektligjit në fjalë.

Draftligji, sipas AGK-së, është përgatitur me mungesë të thellë të transparencës dhe pa përfshirjen e gazetarëve, mediave, aktivistëve dhe organizatave tjera të shoqërisë civile.

“Vetëm pas përfundimit të draftit të parë, ai është prezantuar para një grupi të kufizuar si akt i kryer. Kjo qasje është tërësisht jodemokratike, e papranueshme dhe zhgënjyese. Nuk mund të draftohet legjislacion për media pa përfshirjen e mirëfilltë të sektorit të mediave”.

Ndryshe të enjten Sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, ka kërkuar nga autoritetet kosovare që urgjentisht të tërhiqen nga Projektligji për Komisionin e Pavarur për Medie.

“Ne besojmë, së bashku me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, se asnjëherë nuk është zgjidhje licencimi i mediave online nga organet shtetërore. Le të punojmë së bashku për të gjetur zgjidhje që janë në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës dhe të OSBE-së”.

Gutierrez ka potencuar se Federata Evropiane e Gazetarëve është e gatshëm të nis “luftë” për të mbrojtur lirinë e mediave dhe pluralizmin mediatik në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore