Lajme

Kurti takon Al-Marri: Kosova vend i përshtatshëm për investitorë të huaj


Albin Kurti dhe Ali bin Hamad Al-Marri

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë ditës së mërkurë të 29 dhjetorit ka pritur në takim ambasadorin jorezident të Katarit në Kosovë, Ali bin Hamad Al-Marri, me ç’rast i pari i ekzekutivit ka thënë se Kosova është vend i përshtatshëm dhe me potencial për investitorë të huaj me stabilitet politik dhe një qeveri të fokusuar në drejtësi dhe zhvillim ekonomik.

Kryeqeveritari Kurti gjatë takimit me ambasadorin e Katarit, Al-Marri është mburrur me punën e tij teksa ka thënë se në Kosovë ka zhvillime pozitive me theks të veçantë në ekonomi.

“Në krahasim me vitin e kaluar dhe atyre pararendës janë rritur të hyrat buxhetor, është rritur eksporti dhe formalizimi i ekonomisë si dhe investimet e huaja”, ka thënë Kurti.

Kurti gjithashtu ka falënderuar ambasadorin e Katarit për mbështetjen e vendit të tij në ballafaqimin me pandeminë coronavirus.

“I jemi mirënjohës mbështetjes së Katarit ndër vite, e sidomos për ndihmën me pajisje mjekësore në ballafaqimin me pandeminë COVID-19. Gjithashtu falënderoj shtetin e Katarit për lehtësimin e hapjes së ambasadës së Republikës sonë në Doha, për përkrahjen e deritanishme në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Ambasadori Al-Marri tha se është nder të qëndrojë përkrahë shtetit të Kosovës dhe shprehu interesimin dhe gatishmërinë për të avancuar edhe më tej marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.

“Populli duhet të jetë përfituesi kryesor i bashkëpunimit tonë”, ka thënë Al-Marri.

Ndryshe një ditë më parë Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë takimit që ka pasur me Ambasadorin Al-Marri, është ftuar me ftesë zyrtare të Emirit të Katarit, Tamim Bin Hamad Al Thani për realizimin e një vizite në këtë shtet, në një kohë të përshtatshme për të dy palët.

Vjosa Osmani dhe Ali bin Hamad Al-Marri

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore