Lajme

Kurti takohet me Sarrazin-in më herët se që ishte planifikuar, s’dihen temat e diskutimit


Albin Kurti dhe Manuel Sarrazin

Ka përfunduar takimi në mes të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe të dërguarit special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Ky takim ishte paraparë që të mbahej në ora 21:30, mirëpo siç thuhet në njoftimin e zyrës së kryeministrit, për shkak të ndryshimit të agjendës është zhvilluar më herët.

Në komunikatën e leshtuar për media nuk është bërë me dije se çfarë kanë diskutuar Kurti dhe Sarrazin-i.

“Ju njoftojmë se për shkak të ndryshimeve në agjendë, takimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Emisarit të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, i paralajmëruar të mbahej sonte në orën 21:30, tashmë është mbajtur dhe ka përfunduar në orët e para të mbrëmjes”, thuhet në njoftim e zyrës së kryeministrit.

Ky takim i top-diplomatit gjerman me kryeministrin Kurti vjen disa ditë pasi që Kosova pranoi disa pika të planit të de-esaklimit të situatës ën Veri, pas tensioneve të krijuara atje që nga 26 maji.

Sarrazin këtë muaj në një intervistë për Radio Televizionin e Serbisë, pati thënë se largimi i 25 për qind i policisë nga Veriu – një nga pikat e planit të de-eskalimit – ndonëse pozitiv, nuk mjafton.

“Bashkimi Evropian ka një plan të qartë me tre pika që nuk nënkupton largimin e prezencës së forcave speciale të policisë në Veri dhe pranë ndërtesave komunale, dhe ulja prej 25 për qind është një hap drejt kësaj, por qartësisht që nuk përmbush kërkesat e Unionit”, pohonte Sarrazin.

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte e mjaftueshëm as për BE-në, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në një takim me gazetarë në Prishtinë të hënën, ka thënë se nuk do të shpallen zgjedhjet në Veri pa u hequr sanksionet nga BE-ja ndaj Kosovës.

Njëjtë si zëvendësi i tij, edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për njërën nga gazetat më të lexuara kroate “Vecernji List”, ka kritikuar sërish qasjen e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës sa i përket dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Plani tre-pikësh i BE-së parasheh tërheqjen e njësive elitare të Policisë së Kosovës nga afërsia e ndërtesave komunale në Veri, tërheqjen e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale, shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme atje dhe garancën e serbëve lokalë se do të marrin pjesë në zgjedhje.

BE-ja ka vendosur masa ndaj Kosovës në fund të qershorit, pas përkeqësimit të situatës në Veri të Kosovës dhe mos-gatishmërisë së Qeverisë për të shtensionuar situatën në këtë pjesë të vendit sipas kërkesave të Unioni.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore