Kosova

Kurti, opozitës: Jeni të paaftë, s’dini të bëni kritikë – a doni t’iu mësoj?


Albin Kurti duke folur në Parlament

Kriminelë lufte nuk ka veç në Serbi, por edhe në Vëri, ka edhe në Bosnje, prandaj nuk kam përmendur shtete veç e veç, por kam folur për Ballkanin.

Ky ka qenë shpjegimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si përgjigje për akuzat e opozitës dhe kërkesa për t’u sqaruar se çfarë ka menduar kur në Bruksel tha se Ballkani duhet të çlirohet nga kriminelët e luftës e të paqes.

Kurti, gjatë fjalimit të tij në seancën Parlamentare të së enjtes, kritikave të opozitarëve u është kundërpërgjigjur me një kritikë të tij për ta.

Siç tha ai, ata janë të pafetë dhe kjo madje përbën rrezik për qeverinë e tij.

“Unë këtu shoh një lloj paaftësie për ta bërë kritikën dhe rreziku më i madh i qeverisë sonë është mungesa e kritikës, nuk kemi rrezik tjetër. Kemi problem të madh me ju sepse jeni të paaftë të bëni kritikë”, është shprehur Kurti.

Ai ka deklaruar se është i gatshëm të bashkëpunojë me opozitën për t’i mësuar ata se si të kritikojnë.

“Më lejoni ta shprehi ndihmën time për bashkëpunim edhe në këtë drejtim. Jam i gatshëm t’u jap ide. Unë nuk bëj ofertë pa kërkesë. Prandaj unë ofroj bashkëpunimin tim që të kërkoni ide për të ma bërë mua kritikën. Me të vërtetë në muajt edhe vitet në vijim rreziku më i madh i qeverisë sime do të jetë mungesa e kritikës”, ka thënë Kurti.

Sa i përket reciprocitetit, Kurti ka theksuar se që në dhjetorin e vitit 2011 kuvendi pati miratuar Rezolutën për reciprocitet të plotë me Serbinë.

“Dihen emrat që votuan kundër reciprocitetit. Se ne jemi për reciprocitet kjo nuk do mend, por ajo çka ne do të bëjmë tash është ta zbatojmë atë. E gjithë përpjekja jonë është se si ta mundësojmë zbatimin e plotë. Para një muaji është miratuar propozimi që unë kam marrë për drejtorin e ri të Doganës. Kosova tash ka drejtor të ri të Doganës”.

Po ashtu, ai ka thënë se për ta zbatuar reciprocitetin, është e nevojshme “t’u bëjmë ballë suksesshëm të gjitha barrierave”.

“Kjo nënkupton që na duhet kohë që të përgatitemi për zbatim të plotë të reciprocitetit e të mos dështojmë në zbatim. Ne mund të zbatojmë në zbatim, sepse jemi qeveria e parë që merret me reciprocitetin. Nuk janë trajnuar zyrtarët doganorë që të merren me reciprocitet. E kemi filluar si proces gradual. Reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, por si parim që derivon nga koncepti i barazisë. Por atë do ta zbatojmë kurdo që jemi gati. Kjo do të bëhet”, është shprehur Kurti.

Kurti ka deklaruar se Agjencia Kosovare e Privatizimit do të shuhet për shkak të “vjedhjeve”.

“Kanë vjedhur me paga e privatizime e janë paguar për të vjedhur. Kjo duhet të merr fund, e me rroga shumë të larta për të keqen e madhe për Kosovën e pasluftës. Kjo është arsyeja pse na nevojitet një bord i ri që mision ka shuarjen e AKP-së”.

“Barra ka qenë te ata që e kanë kundërshtuar privatizimin, pa lejuar asnjë pyetje se pse duhet privatizuar, kujt dhe si, por vetëm të lirohemi nga ndërmarrjet sa më shpejtë. Prandaj duhet të shuhet bordi i AKP-së, në mënyrë që të shuhet AKP-ja, me një bord të ri që do t’ju sjellim propozim”, deklaroi Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore